31 Korrik, 2025 - 4:35 pm
Jenna Ortega ka rrëfyer se fama që erdhi pas suksesit të jashtëzakonshëm të serialit “Wednesday” në Netflix ishte “shumë e madhe” dhe ndonjëherë mbingarkuese. Seriali që debutoi në vitin 2022 u bë më i shikuari në historinë e platformës Netflix, duke e kthyer Ortegan në një yll ndërkombëtar.
Në një intervistë, aktorja 22-vjeçare shprehet: “Jam shumë mirënjohëse që seriali rezonoi me njerëzit në atë mënyrë, por nuk isha e përgatitur për gjithë këtë vëmendje. Nuk mendoj se ndonjë është ndonjëherë i përgatitur për një gjë të tillë.”
Sezoni i dytë i serialit, që publikohet javën që vjen, rikthen Wednesday Addams në Akademinë Nevermore, tashmë nën drejtimin e një drejtori të ri. Prindërit e saj, Gomez dhe Morticia, do të kenë një rol më të theksuar, çka do të sjellë më shumë thellësi në dinamikën familjare dhe një tjetër lloj “torture” për një vajzë të pavarur si Wednesday.
Ortega vlerëson marrëdhënien komplekse mes Wednesday dhe nënës së saj, Morticia, të luajtur nga Catherine Zeta-Jones, duke theksuar se konflikti mes nënës dhe vajzës është diçka shumë e zakonshme dhe e ndjeshme për të rinjtë që kërkojnë të gjejnë veten.
Aktorja ka luajtur edhe në projekte si “Beetlejuice Beetlejuice”, “Death of a Unicorn”, “Scream” dhe “You”, por roli i Wednesday mbetet më i njohuri. Këtë sezon, Ortega shërben edhe si producente ekzekutive, një përvojë që e përshkruan si “shkollë të vërtetë”.
Sipas saj, pritja prej për sezonin e dytë i ka dhënë kohë audiencës të reflektojë, dhe skuadrës krijuese të sjellë diçka më të thellë. “Njerëzit kanë qenë shumë të duruar me ne dhe ne duam t’i shpërblejmë me diçka të re dhe më emocionuese.”
Në kastin e ri do të shfaqen edhe emra të njohur si Joanna Lumley (gjyshja Hester Frump), Steve Buscemi (drejtori Barry Dort) dhe Billie Piper (kryetarja e muzikës Isadora Capri).
Ortega thekson se suksesi i serialit lidhet edhe me temat që trajton, si nevoja për komunitet në një kohë ku gjithçka ndodh në mënyrë virtuale. “Sot njerëzit e gjejnë komunitetin online, por shpesh kjo krijon ndjesi izolimi. Është më e vështirë për të rinjtë të kuptojnë kush janë në të vërtetë,” thotë ajo.
Zeta-Jones shton: “Familja Addams është moderne sepse përqafon të veçantën. Ne nuk e fshehim, përkundrazi, e mbështesim.”
Ortega përmbyll: “Ka shumë forcë në të qenit vetvetja. Kjo familje i jep përparësi lidhjes mes tyre, pasioneve personale dhe forcës së brendshme dhe kjo është ajo që duhet të shohin të rinjtë sot.”/BBC/KultPlus.com