Ka vdekur aktori Sulejman Dibra

20 Nëntor, 2018 - 10:30 am

Në moshën 75 vjeçare ka vdekur aktori i mirënjohur, Sulejman Dibra, pas një ataku kardiak. Sulejman Dibra ka lindur më 9 shtator të vitit 1943 në qytetin e Shkodrës.

Pas mbarimit të studimeve të lartë në Shkollën e Lartë për Aktor “Aleksandër Mojsiu” në Tiranë, në vitin 1966 rikthehet në qytetin e Shkodrës për të punuar si aktor profesionist në Teatrin “Migjeni” të këtij qyteti.

Në vitin 1969 do të transferohet në Teatrin Popullor në Tiranë. Në këtë teatër ka interpretuar në shumë pjesë si “Arturo Ui” e Bertold Brehtit, “Toka jonë” e Kolë Jakovës, “Prefekti” e Besim Lëvonjës etj. Në kinematografi ka interpretuar në 13 role.

Roli i tij i parë ishte ai Partizanit të plagosur në filmin “Komisari i Dritës”, kurse roli i tij i fundit ishte në vitin 2009, roli i Myrtezait në filmin “Ne dhe Lenini”. Më tej do të interpretonte në rolin e Kiços,agjentit 13 në filmin “Njësiti “Guerril” , rolin e Sotir Filipit “Kasketa” në filmin “Operacioni “Zjarri”, rolin e Drejtorit të shkollës në filmin “Tinguj Lufte”, rolin e Gjeneralit turk në filmin “Nëntori i dytë”, etj.

Sulejman Dibra, ka dhënë edhe mësim në Institutin e Lartë të Arteve në degën e Aktrimit. Në vitin 2006 për meritat e tij artistike, Dibra është vlerësuar me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”./ KultPlus.com

Të ngjajshme