Ka vdekur dramaturgu i njohur, Petrit Imami

29 Maj, 2019 - 3:58 pm

Ka vdekur dramaturgu i njohur Petrit Imami, autor i skenarit për serialin dhe filmin televiziv “Era dhe lisi”, pastaj i filmit “Përroi Vërshues” e shumë filma tjerë.

Gjithashtu, dramaturgu Imami ishte edhe profesor inordinar në Akademinë e Filmit të Universitetit të Beogradit.

Ka qenë një prej intelektualëve mjaft të respektuar në qarqet intelektuale në Beograd.

Petrit Imami ka lindur më 11 shtator të vitit 1945 në Prizren, nga ku shkoi në Beograd me familje ku edhe vdiq. Petriti është i biri i përkthyesit të njohur, Sitki Imami, raporton Koha.net.

Imami gjithë shkollimin e ka kryer në Beograd. Më 1974 diplomoi në degën e Dramaturgjisë në Akademinë për Teatër, Film, Radio dhe TV. Ka punuar edhe si dramaturg me korrespodencë në televizionin e Prishtinës në vitet’70.

Nga viti 1978, Akademia në Beograd e ka angazhuar për bashkëpunëtor ligjërues profesional për skenar filmi e televizioni. Docent është zgjedhur më 1981, Profesor i Jashtëzakonshëm më 1986, kurse Profesor i rregullt më 1996.

Ka qenë autor i serialit televiziv në gjuhën shqipe “Era dhe Lisi” më 1979 dhe i filmit me të njëjtin titull të metrazhit të gjatë në “Kosovafilm”.

Mori çmimin Arena e Artë për skenar në festivalin prestigjioz të filmit në Pulë më 1979.

Gjatë viteve ka publikuar një varg shkrimesh dhe kritikash për filmin dhe eseje për revistën “Fjala” në gjuhën shqipe.

Është hartues i librit për lëndën Skenari i Filmit dhe i TV-së, për teori e praktikë, 1 dhe 2 (1978-1983), botim i Universitetit të Arteve i Beogradit.

Ka botuar edhe dy libra rreth marrëdhënieve serbo-shqiptare ndër shekuj, me titull “Serbët dhe shqiptarët ndër shekuj”, tri vëllime, pa dyshim pasqyra më e thellë, më e gjerë dhe më objektive e këtyre raporteve.

Ka botuar edhe Fjalorin për Film e Televizion në gjuhën angleze e serbe (2002), pastaj fjalorin e zhargoneve të Beogradit dhe atë për dramaturgjinë e filmit artistik. Është edhe koautor i fjalorëve Shqip – Serbisht e Shqip – Shqip, e i shumë librave tjerë.

Ka qenë pjesë e redaksisë dhe autor i mbi 200 zërave të leksikonit të filmit dhe të televizionit, botim i Universitetit të Arteve dhe i Librit Shkencor në Beograd.

Libri “Origjina e fjalëve në gjuhën shqipe” është botuar në Prishtinë në vitin 2011.

I ndjeri prapa ka lënë bashkëshorten Nailen, docente në katedrën e albanologjisë në fakultetin Filologjik të Beogradit, si dhe djalin, Aurelin.

Të ngjajshme