Kim Novak merr “Luanin e Artë” për Karrierën në Festivalin e Venecias

1 Shtator, 2025 - 6:38 pm

Aktorja amerikane, Kim Novak mori ”Luanin e Artë” për Karrierën në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecia nga presidenti i festivalit,  Pietrangelo Buttafuoco.

E pritur me duartrokitje të nxehta, që zgjatën mbi tetë minuta, aktorja e lindur në vitin 1933, e emocionuar dhe e buzëqeshur, e veshur me një fustan elegant të zi dhe e mbështjellë me një shall mëndafshi të zi dhe të gjelbër, shprehu mirënjohje para së gjithash për prindërit e saj.

“Babai im më dha sistemin e vlerave në të cilin besoj, dhe nëna ime, që kur isha një vajzë e vogël dhe e turpshme, më mësoi të jem kapiteni i anijes sime. Fjalët e tyre më formësuan”, tha Novak.

Pas falënderimeve për agjenten e saj prej shumë vitesh, Sue Cameron, dhe Alexandre O. Philippe, regjisorin e dokumentarit “Kim Novak’s Vertigo”, i cili u shfaq premierë jashtë konkurrimit pas ceremonisë së çmimeve, aktorja u ndal edhe tek realiteti i sotëm.

“Një nga arsyet që jam këtu është për t’u shprehur dhe për të frymëzuar sa më shumë njerëz që të jetë e mundur. Jetët, të drejtat dhe e vërteta kanë rëndësi. Ne të gjithë jemi bashkë në këtë botë dhe duhet të bashkohemi, të punojmë së bashku, të kuptojmë çfarë po ndodh dhe të bëjmë gjithçka që mundemi për të shpëtuar demokracitë tona. Shumë njerëz tashmë kanë sakrifikuar jetën e tyre”, tha ajo.

“Ne po nderojmë një nga aktoret më të dashura të epokës së artë të kinemasë së Hollivudit. Një ikonë e pashlyeshme, një yll që nuk ka pushuar kurrë së shkëlqyeri. Ta kemi këtu është një privilegj”, tha Alberto Barbera, drejtori i Festivalit./KultPlus.com

Të ngjajshme