Kosova e bën sefte Festivalin e Venecias me film të metrazhit të gjatë, “Vera Andrron Detin” nesër me premierë

7 Shtator, 2021 - 1:51 pm

Filmi “Vera Andrron Detin” i regjisores Kaltrina Krasniqi do të jepet si premierë botërore në një nga festivalet më prestigjioze në botë, atë të Festivalit të Filmit të Venezia-s – “Venice Film Festival”.

“Vera Andrron Detin” është në konkurrencë zyrtare në programin “Orizzonti”, ndërsa president i jurisë është regjisorja boshnjake, Jasmila Zbaniç, e që premiera e këtij filmi do të jepet në këtë të mërkurë, shkruan KultPlus.

Filmi kosovar është nominuar në disa kategori, atë të “Filmit më të mirë”, “Regjisë më të mirë”, “Çmimin special të jurisë”, “Aktori dhe aktorja më e mirë” si dhe “Skenari më i mirë”.

Ky prodhim kinematografik është një film i metrazhit të gjatë me skenar nga Doruntina Basha dhe regji të Kaltrina Krasniqit.

Në film përditshmëria e qetë e Verës (64) çrregullohet nga vetëvrasja e papritur e burrit të saj që hapë rrugë për një paradë të padëshiruar kërcënimesh nga kushërinjtë që pretendojnë të kenë pronësi mbi shtëpinë e familjes së tyre në fshat. Kur tendencat e një skeme të nëntokës fillojnë të dalin në pah, bota e Verës përballet me rreziqe të cilat duket se do ta fundosin atë. Frika dhe mosbesimi, shtyjnë Verën të marrë fatin e familjes në duart e saj.

E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazishë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’.

Filmi përbëhet prej një kasti aktorësh ku bëjnë pjesë; Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj e disa të tjerë.

Filmi është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Kurse me film të metrazhit të shkurtë, Kosova për herë të parë ka marrë pjesë në këtë festival prestigjioz me filmin e Lendita Zeqiraj, e cila kishte marrë pjesë me filmin “Ballkoni”, po në kategorinë Orizzonti, pjesëmarrje që kishte ndodhë qysh në vitin 2013. / KultPlus.com

Të ngjajshme