Kosova me propozim për “Oscar”

7 Gusht, 2019 - 1:23 pm

Kosova për të gjashtin vit do të propozojë kandidatin e vet për nominim për edicionin e 92-të të çmimeve “Oscar”.

Të martën, Qendra Kinematografike e Kosovës ka ftuar të gjithë filmbërësit e interesuar që t’i dërgojnë propozimet e tyre për konsiderim për çmimin e madh për kategorinë për film në gjuhë të huaj, që mund ta përfaqësojë Kosovën këtë vit në edicionin e 92-të “Academy Awards”.

Ndryshe nga viti i kaluar kur komisioni i QKK-së kishte pasur vetëm filmin “Martesa” si propozim, sivjet gara duket të jetë më interesante. Së paku tri projekte filmike të mbështetura nga buxheti i shtetit mund t’i plotësojnë kriteret për t’u bërë kandidat.

Sipas drejtorit të QKK-së, Arben Zharku, pritjet janë që “gara të jetë më interesantja deri më tani me tre filma të shkëlqyer”.

Duke pasur si kusht për konkurrim të gjitha projektet e metrazhit të gjatë që janë shfaqur apo do të shfaqen për shtatë ditë me radhë në kinematë e vendit nga 1 tetori i vitit të kaluar deri më 30 shtator të këtij viti, “Nëntor i ftohtë”, nën regjinë e Ismet Sijarinës, tashmë është filmi i parë që i plotëson kushtet e kërkuara. /Koha.net / KultPlus.com

Të ngjajshme