Kumbaro: Dokufest, ngjarja më e rëndësishme kulturore që kemi arritur të ndërtojmë

28 Korrik, 2018 - 2:11 pm

Sot në Tiranë u mbajt konferenca e përvitshme për media e festivalit DOKUFEST, me ç’rast u prezantua programi i plotë i edicionit të 17 të festivalit, i cili do të mbahet nga data 03-11 gusht 2018 në Prizren, Kosovë.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, tha se DokuFest ka sjellë gjithmonë tema të fuqishme, dhe është shndërruar në ngjarjen më të rëndësishme kulturore në botën e artit shqiptar.

“DokuFest është pa dyshim një ngjarje kulturore shumë e rëndësishme kombëtare. Në mos, në botën e filmit, ngjarja më e rëndësishme kulturore që kemi arritur të ndërtojmë në botën e artit shqiptar me një rreze veprimi ndërkombëtare, dhe jo vetëm rajonale”, tha Kumbaro.

Organizatorët e festivalit: Nita Deda (drejtoreshë), Veton Nurkollari (drejtor artistik), Eroll Bilibani (drejtor ekzekutiv) dhe Samir Karahoda (programer i filmave nacional dhe te shkurtë) prezantuan më gjerësisht temën dhe programin e sivjetmë.

Në këtë edicion do të shfaqen mbi 260 filma në kategori të ndryshme, nëpërmjet programeve garuese dhe atyre speciale, do të ketë përformanca, punëtori dhe panele të ndryshme, që synojnë do ta shndërrojnë Prizrenin në pasqyrë, përmes temës së Reflektimit.

DokuFest në po të njëjtën ditë, do të shfaqë disa filma të përzgjedhur në Amfiteatrin e Tiranës nga ora 20:00. / KultPlus.com

Të ngjajshme