“Kur dashurova me shikim të parë”

22 Janar, 2020 - 2:00 pm

Nga ditari i aktores Drita Pelingu

I ndodh rrallë që të kridhet në kujtimet e së shkuarës. Jo në ato që dashje pa dashje i kanë zënë një cep të kujtesës. Por në ato që për vite me radhë i ka hedhur në fletët e një ditari. Tashmë është më shumë se 60-vjeçar. Drita Pelingu i ka besuar shumë të fshehta, mendime, dëshira e pasione që gëlonin në kokën e vajzës së re. Gati-gati ka ndërtuar një jetë të dytë brenda faqeve të zverdhura, mes të cilave teksa e shfleton, të rastis që gjen edhe ndonjë tufë vjollcash të thara. Një jetë, personazhet e së cilës ka privilegjin t‘i dëgjojë vetëm ajo. Në një ditë me shi, kohë në të cilën kujtimet thirren më fort, aktorja e njohur tërheq ngadalë dorezën e sirtarit të fundit.

Mes shumë dosjesh të sistemuara brenda tij, nxjerr një bllok, të cilit së jashtmi i lexohen qartë gjurmët e viteve. Një kapak në ngjyrë kafe, të cilin e hap me kujdes, mbyll një rrëfim intim të viteve të rinisë së hershme. Të atyre viteve ku ëndrrat e një vajze që aspironte të bëhej aktore, mbusheshin edhe me dashuri. Një djalosh bukurosh, që e thërrisnin Hysen, njëkohësisht artist, mbushte mendimet e Drita Kripës (mbiemri i vajzërisë). Teksa shfleton faqet, ndonjë prej të cilave edhe është shkëputur nga blloku, një buzëqeshje gati e pavetëdijshme i shpërfaqet në buzë. Ndonjëherë nuk ngurron të lëshojë edhe zë. Ato që ka shkruar vite më parë, në ditët e një vajze 18-vjeçare, nëse nuk do të ishte e vetëdijshme që i ka hedhur vetë, do t‘i dukeshin si mendimet e një personazhi të sajuar nga fantazia e shkrimtarit. Ka plot detaje që edhe i ka harruar. Por ende shfaq një entuziazëm rinor kur kujton shkëmbimin e shikimeve të para me djaloshin që do t‘i qëndronte gjithë jetën në krahë. “E kisha dëgjuar kur këndonte në radio. I dija vetëm emrin. Një ditë, teksa me një shoqen time ngjitesha në shkallët e të parës shkollë dramaturgjike (unë isha e vetmja femër që kisha fituar konkursin) shkëmbehemi me një djalosh, i cili kthen kokën dhe më vështron. Nuk e njihja. Menjëherë shoqja ime më thotë se ai ishte Hyseni. Ky ka qenë takimi ynë i parë”, tregon aktorja, që tashmë jeton pa praninë e tij. Gjithçka që ka ndier e ka hedhur deri në detaje në ato fletë, të cilat i ngacmojnë kujtimet teksa i lexon. Deri më tani e ka ruajtur me shumë fanatizëm, por këto ditë po mendon t‘i sistemojë e ndoshta t‘i bëjë pjesë edhe të një libri. “Kohët ndryshojnë, por dashuria mbetet ndjenjë e fuqishme e njeriut”, shprehet Drita Pelingu, teksa lexon ato që ka shkruar shumë kohë më parë. Të sinqerta, në dukje edhe pak naive, për herë të parë po botojmë dy fragmente të shkëputura nga fletët e ditarit të aktores. Si e kujton ajo dashurinë e saj? Çfarë përjetonte Drita teksa në dorë shihte një unazë premtimi? Edhe sot e kësaj dite e “mbyt” nostalgjia, teksa shpreh se Hyseni i saj ishte një djalosh bukurosh.

Detajet më të imta të jetës suaj ndodhen brenda fletëve të një ditari. Kur keni nisur ta shkruani?

Kam shkruar gjithë jetën. Ditari ka filluar që në fëmijërinë time të hershme, ka vazhduar me ditët e para kur kam njohur tim shoq, për shfaqjet, turnetë etj. Është ditar i madh dhe shumë intim, të cilin e kam vazhduar në fletore të ndryshme. Sa herë që më ndodhte të bëja një turne me teatrin në Kosovë apo Maqedoni, kam mbajtur shënim përshtypjet e mia, të spektatorëve, gjendjen time shpirtërore. Kam shënuar çdo detaj edhe kur kemi udhëtuar në Nju Orlins për Kongresin e Arteve dhe Komunikimit. Akoma nuk jam marrë me këto fletore, por mendoj se së shpejti do të filloj t‘i sistemoj. Këta sirtarë janë të mbushur plot me shënime edhe për artistët tanë si: Naim Frashëri, Kadri Roshi, Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka, Esat Oktrova. Kanë disa vjet që qëndrojnë aty.

Cilat janë përjetimet që ju ngjallen kur lexoni sot faqet e këtij ditari?

Nganjëherë të duken gjëra shumë për të qeshur, por mosha ka të bukurat e veta. Sot ndoshta duken pak naive, por sidoqoftë janë kujtime të lidhura me jetë njerëzish, me motrat, me vëllezërit, babanë, apo dhe me njerëz që nuk jetojnë më. Nga ana tjetër, gjithë ç‘kam shkruar në atë ditar është një dokument i mirë për të kuptuar botën e atëhershme.

Ju ngacmojnë kujtimet?

Nuk i hap vazhdimisht shënimet, sepse mungesa e njerëzve të dashur më shkakton dhimbje. Ndodh rrallë kur jam vetëm. Ndërsa nëse vjen ndokush për vizitë dhe biseda vërtitet rreth brezit tonë, atëherë më ngacmojnë kujtimet. Ato më bëjnë të fluturoj.

Një pjesë e mirë e kujtimeve i përkasin edhe jetës me bashkëshortin tuaj. Ju ishit grua në karrierë dhe familjare. Si kanë ecur të dyja?

Ne kemi dy vajza, të cilat kanë qenë dashuria më e madhe dhe qëllimi i jetës sonë. Nuk na kanë shkaktuar probleme në rrugën që kanë zgjedhur, por kemi pasur vështirësi në rritjen e tyre. Kemi qenë të dy artistë dhe të dy e kishim të zënë ditën, madje shumë herë edhe orët e darkës. Herë-herë kam marrë një kujdestare, megjithëse në ato kohë kanë qenë shumë të rralla. Familja ime më ndihmonte shumë kur shkonim për turne të gjatë qyteteve, apo fshatrave. Por ka pasur raste që edhe i merrja me vete. Në faza të ndryshme jam munduar të gjej një zgjidhje. Nuk kanë qenë të pakta edhe rastet kur i mbyllja me çelës në shtëpi. U lija ushqim, ndërsa brenda dhomës kishim edhe një lavaman me një çezmë që të pinin ujë dhe ikja në shfaqje. Për disa kohë kemi jetuar në një shtëpi me familjen e doktor Kërçikut dhe i lutesha zonjës së tij që të m‘i shihte vajzat. Kur ktheheshim në darkë i gjenim duke fjetur në qilim. Kam plot kujtime. Ndoshta tani duket sikur je në ëndërr, por ishte një jetë me shumë sakrifica.

Albumet me fotografi janë një tjetër ditar me imazhe për jetën dhe karrierën tuaj. Shumica e pozave shfaqin një Drita Pelingu aktore lozonjare…

Që nga fillimi deri në fund, rolet e mia kanë qenë ose role vajzash dashnore, ose role grash me një botë të madhe të brendshme, me shpërthime të fuqishme dhe të gjitha këto kanë bërë që unë të kujdesem për trupin tim, për fizikun, flokët, gjithçka që kërkonin këto role. /Revistaletrare /KultPlus.com

Të ngjajshme