9 Korrik, 2025 - 9:31 pm
Lakmi, Pafund Çmendi, Boshllëk, një deklarim i gjendjes shpirtërore dhe politike përmes të cilës edicioni i sivjetmë i festivalit DokuFest reflekton klimën e kohës sonë të dominuar nga lufta të vazhdueshme, apatia dhe boshllëku emocional.
Kjo temë nuk është koncept, por një tog fjalësh që pasqyrojnë pafuqinë tonë për të reaguar ndaj padrejtësive dhe për të ruajtur shpresën në një botë të mpirë nga dhuna dhe konsumimi vizual i saj.
Përmes filmave, diskutimeve dhe muzikës, DokuFest 2025 vjen si një protestë e vetëdijshme ndaj harresës, si një thirrje për të mos u shkëputur nga realiteti dhe për t’iu rikthyer gjuhës dhe fjalëve, rëndësisë së të dëgjuarit dhe të treguarit të këtij momenti në historinë tonë të përbashkët.
Deklarata e plotë e drejtorit artistik, Veton Nurkollari
Lakmi Pafund Çmendi Boshllëk
Programimin e këtij edicioni e patëm nisë me dy lufta në zhvillim. Kur mbërritëm në fazën e
fundit, shpërtheu e treta, katastrofike në përmasa. Lufta sot nuk është më episodike. Është bërë
e përhershme. Klimë e kohës tonë, e ushqyer nga lakmia dhe e strukur në një gjuhë që përpiqet
ta justifikojë të pajustifikueshmen.
Titulli që e kemi zgjedhë nuk është tematik. Është konstatues. Lakmi Pafund Çmendi Boshllëk
nuk është koncept. Është gjendje. Pasqyrim i vështirësisë për të menduar qartë përballë
fatkeqësive të pafundme. Është dëshmi e paaftësisë tonë për të reaguar në mënyrë
proporcionale ndaj gjithë kësaj llahtarie.
Si festival filmi nga Kosova, i një shoqërie dhe konteksti të pasluftës, ne nuk mund të jemi
dëshmitarë neutralë ndaj asaj që po ndodhë në botë. Ne vet kemi jetuar mes tmerrit. Ja njohim
fort mirë gjuhën. Lufta që po shohim sot nuk është e re. Por ajo që është e re është sa shpesh
po e hasim dhe sa shpesh po e shohim, dhe sa pak rëndësi po ka kjo gjë. Po kalojmë nëpër të
me agoni përmes scrolls nëpër telefonat tanë mobil. Po e thithim padrejtësinë. Po jetojmë
përmes kësaj plogështie të vazhdueshme.
Në Hold Everything Dear, John Berger shkruan:
“Turpi, ashtu si po e kuptoj unë, është një ndjenjë specifike që… e gërryen aftësinë për me
shpresu.”
Kjo është atmosfera në të cilën po punojmë. Me shpresë të gërryer. Me paralizë në të folur.
Asnjëherë më parë nuk kemi hezitu kaq shumë për ta shpallë një temë. Jo sepse na mungon
vizioni, por sepse kemi dyshimet tona në vetë vizionin. Cili është roli i artit, i kinemasë, i
dokumentimi dhe diskutimeve? Nuk e bëjmë këtë pyetje retorikisht, por si kërkesë. Ia
parashtrojmë vetes.
Programi i këtij viti është përpjekje për t’u përgjigjë, për t’i rezistu mpirjes, për ta shpëtuar gjuhën
nga manipulimi. Për të këmbëngulur se akti i të treguarit, të dëgjuarit dhe të qenit bashkë
vazhdon të ketë shumë rëndësi.
Sivjet, filmat, bisedat dhe muzikën i prezantojmë si protestë, si thirrje. Kundër boshllëkut.
Kundër dëshirës për t’u shkëputur nga realiteti. Kundër përsëritjes së vazhdueshme të aktit të
harresës./ KultPlus.com