13 Gusht, 2025 - 9:00 am
Më 13 gusht 1899, në një familje të thjeshtë katolike në Londër, erdhi në jetë Alfred Hitchcock, njeriu që do ta kthente frikën dhe misterin në art të pastër filmik. Që në fëmijëri, Hitchcock tregoi një imagjinatë të pazakontë, e ushqyer nga tregime misterioze dhe eksperienca personale që do të gdhendeshin më vonë në veprat e tij.
Pas një fillimi modest si dizajner titrash për filma të heshtur, ai e ndërtoi me durim rrugën drejt majës, duke revolucionarizuar mënyrën se si rrëfehet një histori në ekran.
Me filma si “Psycho”, “Vertigo”, “Rear Window” dhe North by Northwest, Hitchcock nuk u mjaftua thjesht të frikësonte publikun, ai e bëri atë pjesë aktive të lojës së dyshimit dhe pritjes. Shkolla e tij e suspensës ishte e thjeshtë në parim, por e pakapshme në realizim: tregimi duhet të mbajë shikuesin në buzë të karriges, duke e ditur pak më shumë se personazhet, por kurrë aq sa të ndihet i sigurt, transmeton KultPlus.
Hitchcock fitoi famë botërore jo vetëm si regjisor, por edhe si figurë e njohur publike, me paraqitjet e tij ikonike në trailerët e filmave dhe në serialin televiziv Alfred Hitchcock Presents. Ai la pas një trashëgimi që vazhdon të studiohet në shkollat e kinemasë dhe një ndikim që ndihet në çdo film modern të suspensës. Lindja e tij më 13 gusht është kujtesa e një fillimi që do të shndërrohej në një epokë të artë për zhanrin e misterit./KultPlus.com