“Lumbardhi: një histori episodike” dhe “LXX” vijnë në 70-vjetorin e Kino Lumbardhit

23 Maj, 2022 - 2:12 pm

Fondacioni Lumbardhi hapë sezonin e programeve që kremtojnë 70-vjetorin e kinemasë me promovimin e librit “Lumbardhi: një histori episodike” dhe fillimin e programit të filmit LXX në ekran të madh, me 25 maj, duke nisur nga ora 19:00, në Kino Bahçe.

“Lumbardhi: një histori episodike” nga Bengi Muzbeg dhe Tevfik Rada, flet për takimin dhe ndërveprimin midis Kino Lumbardhit dhe Prizrenit, prej rrethanave që sollën te hapja e kinemasë në vitin 1952 e deri te ndalja e aktivitetit pas falimentimit të ndërmarrjes shoqërore “Kino Bistrica” në fillim të shekullit të ri.

I botuar në kuadër të hulumtimit shumështresor “Kinofigurimi” që trajton historinë e Kino Lumbardhit dhe zhvillimin e kinemasë në Kosovë, bazuar kryesisht në studime arkivore dhe kujtime të protagonistëve të episodeve të ndryshme të kinemasë, libri tenton ta vendosë zhvillimin e kinemasë në kontekst politik dhe kohor, e ta kuptojë rëndësinë shoqërore dhe historike të kinemasë dhe pamjeve lëvizëse në raport me qytetin dhe realitetin politik të vendit.

Pas promovimit të librit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi ta përcjellin fillimin e shfaqjeve të programit LXX në ekran të madh, të bashkëkuruar nga Bengi Muzbeg, Kumjana Novakova dhe Veton Nurkollari. Përzgjedhja e filmave është bazuar në listat e filmave të shfaqur në kinemanë Lumbardhi gjatë pjesës së dytë të shekullit XX, që përfshinë një gamë të gjerë të zhanreve, prej filmave propagandistikë jugosllavë e hollywoodianë, deri te filmat artistikë europianë, melodramat turke, indiane e meksikane.

Sezoni veror i shfaqjeve hapet me Beteja e Neretvës (1969) me regji të Veljko Bulajić, film historik i bazuar në ngjarje nga Lufta e Dytë Botërore, njëkohësisht edhe filmi më i shtrenjtë i prodhuar në ish-Jugosllavi, i nominuar për shpërblimin Oskar, me një ekip ndërkombëtar e rajonal të aktorëve, prej Orson Welles e deri te Faruk Begolli. Para filmit, fjalën do ta marrin drejtorja e Qendrës Filmike të Sarajevës, Ines Tanović, si dhe kuratorët e programit të filmit.

Mes 25-29 maj, për pesë ditë rresht, programi LXX do t’i shfaqë edhe filmat “Loves of a Blonde”, “Era dhe Lisi”, “Dry Summer” dhe “Once upon a time in the West”, me fillim nga ora 20:30 në Kino Bahçe, ndërkohë që programi do të vazhdojë deri në muajin shtator, me mbi 40 shfaqje filmike të prezantuara në orare dhe formate të ndryshme./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme