Margarita Xhepa sot feston 90 vjetorin e lindjes

2 Prill, 2024 - 5:56 pm

Aktorja e madhe e popullit shqiptar, Margarita Xhepa, sot feston 90 vjetorin e lindjes, shkrun KultPlus.

Ajo ka lindur më 2 prill të vitit 1934, në qytetin e Lushnjës, prej nga edhe ka filluar të hedhë hapat e parë drejt karrierës së saj.

Talentin për aktrim, e kishte hetuar nëna e saj qysh kur Margarita Xhepa ishte në klasat fillore. Teksa nëna e saj ishte e sëmurë, i thoshe artistes Margarita që të recitonte vjershën të cilën e kishte mësuar në shkollë, pasi sipas saj, Margarita kishte diçka të veçantë në zërin dhe interpretimin e saj, që e bënte të dallojë nga fëmijët e tjerë të saj.

Dhe ajo parandjenjë e nënës së saj, doli të ishte e vërtetë pasi Margarita Xhepa konsiderohet një ndër ‘Zonjat e Mëdha’ të teatrit dhe filmit shqiptar duke lënë gjurmë në memorien e publikut shqiptarë me rolet e saj brilante.

Në vitin 1950, ajo u aktivizua si artiste probiste në Teatrin Popullor, që sot njihet si Teatri Kombëtarë dhe njëkohësisht studioi në Liceun Artistik, në degën e Dramës.

Ajo ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve janë: Majlinda tek filmi “Majlinda”, Dafina tek Lumi i Vdekur, Filja tek Cuca e Maleve, Zonja Mëmë tek Kush e solli Doruntinën, Nëna tek Përballë Vetes etj.

Ndërsa në rolet e dramaturgjisë botërore, ajo interpretoi role si Ofelia tek Hamleti, vajza e dytë tek Mbreti Lir, dado tek Romeo e Xhulieta, Mbretëresha Margaret tek Rikardi III, të Shekspirit.

Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore ajo luajti rolin si: Klea tek Dhelpra dhe rrushtë (Figereido), Lena tek Xhaxha Vanja (Çehov), Ledi Milford tek Luiza Miler (Shiler), Zonja Berling tek Vizita e inspektorit (Pristli), Zonja Lomen tek Vdekja e një komisioneri (A. Miller), Ana Andrejevna tek Revizori (Gogol), Marsela tek Qeni i kopshtarit (De Vega), Mashenka tek Mashenka (Afigenov), Shejla tek Morali i zonjës Dulska (Zapolska), apo Dado tek Elektra e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë në Athinë.

Filma të tjerë shqiptarë në të cilët interpretoi Margarita Xhepa janë: Në kërkim të kujt, Tingulli i heshtjes, Kronikë provinciale, Ne dhe Lenini, I dashur armik, Mirupafshim, E diela e fundit, Një djalë edhe një vajzë, Vitet e pritjes, Kush e solli Doruntinën, Pesha e kohës, Pranvera s’erdhi vetëm, Misioni përtej detit, Rrethi i kujtesës, Fillim i vështirë, Gabimi, Gurët e shtëpisë sime, Militanti, Apasionata, Dora e ngrohtë, Shokët, Dita e parë e emërimit, Me hapin e shokëve, Dollia e dasmës sime, Gjeneral gramafoni, Koncert në vitin 1936, Dimri i fundit, Pylli i lirisë, Tokë e përgjakur, Gjurma, Vitet e para./KultPlus.com

Të ngjajshme