Mes diskutimeve për filmin “Mjegull”, Hysaj shpjegon rëndësinë e art-terapisë dhe rastin e trysnisë nga serbët

15 Dhjetor, 2022 - 5:00 pm

Uranik Emini

Më 14 dhjetor në ambientet e Qendrës së Dokumentimit në Kosovë është shfaqur filmi dokumentar i metrazhit të shkurtër “Mjegull” nga regjisorët Fadil Hysaj dhe Ujkan Hysaj, shkruan KultPlus.

Përshtatja e ambientit me filmin që shfaqet është një ndjesi më unike për audiencën, me ç’rast ata patën mundësinë të shohin nga afër ekspozitën “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, ku tema kryesore është ajo e të pagjeturve, pikërisht edhe ajo që dokumenton filmi.

Filmi rrëfen historitë personale të Arife Gashit, Mihrije Ujkanit dhe Velibor Adzancic, të cilët ende i kanë familjarët e tyre të zhdukur si rezultat i luftës në Kosovë.

Pas filmit, me një grup të interesuarish, pati edhe një diskutim së bashku me regjisorin Fadil Hysaj, i cili tregoi edhe se si erdhi deri te kjo ide dhe realizimi i saj.

“Aty ku preken fëmijët dhe ku preket jeta e atyre që s’kanë fuqi të mbrohen, mendoj që kanë një dhimbje që ëshë traumë e përjetshme. Ajo që më bën të ndihem I lehtësuar në një farë mënyrë është se më është dashur që të bëj dy projekte për këtë temë. Një shfaqje dhe më pas edhe filmin “Mjegull”. Ujkani ka një meritë të veçantë për gjithë realizimin e këtë filmi dhe përzgjedhjen e personazheve. Mendoj që kjo përzgjedhje është e duhura. Insistimi im personal ka qenë që të bëjmë një përzgjedhje tjetër, por tani pajtohem se ajo çfarë kemi realizuar është e qëlluar”, tregon Hysaj.

Lehtësia për të biseduar për tema të renda – befasi për ekipin e filmit

“Kjo është një gjetje që ka ardhur pas shumë hulumtimeve dhe bisedave që kemi pasur me familjarët. Mënyra se si ata iu janë çasur kujtimit të vet ka treguar se ne gjithmonë kemi qenë më të frikësuar e më të emocionuar se ta. Nuk e kuptoja se si është e mundur të flasin për gjëra të rënda me aq lehtësi. Na është dashur gjithë ekipit që të reflektojmë e ta shohim në mënyrën se si ata e kanë parë. Më pas, kemi ardhur deri te një bërthamë edhe narrative ku shohim një hapësirë mes reales që ata janë dhe jo-reales që përmbushet me pritjen, imazhi që ata projektojnë me një ambient që ka ndodhur jeta e mëhershme. Në kuptimin shpirtënor, familjarët e të pagjeturve janë duke jetuar në një botë tjetër”, thotë Hysaj.

Rëndësia me u marr me tema të tilla që të mos përsëritet më e keqja, pra, historia

Ngjashmëria e historisë dhe përvojave të popullit të Izraelit dhe atij të Kosovës është një shembull që profesori e përdor shpesh.

“Unë e përdor një eksperiencë të një populli që ka përjetuar dhunë të shumtë që tani është njëri ndër shtetet më të fuqishme në botë, pikërisht Izraeli. Ata kanë përjetuar skena të tmerrshme të dhunës, të cilat ne si popull i kemi përjetuar njëjtë dhe ata si shtet çdo vit dokumentojnë memorien emocionale të tyren. Rrëfimet për Holokaustin janë të çdovjetshme. Nuk ka vepër arti ose artistë që nuk kanë bërë diçka për Holokaustin. Ai është një dokumentim emocional”.

Pas luftës dhe pas ndodhive të tmerrshme, Hysaj thotë se ne duhet të merremi me pjesën emocionale të viktimave dhe familjarëve të cilët kanë dikë që akoma po e presin, të paktën ta dijnë fatin e tyre.

“Nuk është çështja të shpjegohet se çfarë ka bërë dorasi, por si po e përjeton emocionalisht tani viktima. Ndoshta kriminelët që kanë vrarë mbi një fëmijë, nuk e kuptoj se si do t’i shohin fëmijët e tyre. Mungesa e fuqisë së tyre për të dalur e për të treguar se kam vrarë një fëmijë, e tani për të rritur një fëmijë tjetër, tregon një nivel jo vetëm civilizimit të ulët por të një niveli frustrues e manipulimi ekstrem që ka bërë një regjim te një popull tjetër”.

ART TERAPIA

Terapia e artit mund të përdoret për të ndihmuar njerëzit të përmirësojnë funksionin motorik kognitiv dhe ndijor, vetëvlerësimin, vetëdijen dhe qëndrueshmërinë emocionale. Mund të ndihmojë gjithashtu në zgjidhjen e konflikteve dhe të zvogëlojë shqetësimin.

“Ne kemi xhiruara atë se çfarë ata kanë parë çdo ditë. Në film shihen disa pjesë edhe ku familjarët tregojnë se kanë parë të pagjeturit shpesh herë, nga dera, te koshi, te toka ku kanë gropuar. Ata janë shfaqur në sytë e tyre, por jo në të vërtet. Këtë e quajmë edhe art-terapi. Art terapia është ajo se çfarë fshihet brenda personazhit nxjerret jashtë gradualisht dhe ata shpëtojnë sepse nuk e kanë më brenda vetes. Një gjë e tillë është parë edhe te shfaqja të cilën e kemi realizuar më herët”, shpjegon regjisori gjatë diskutimit.

Në film shfaqet edhe një familje serbe dhe persona të cilët janë të humbur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Megjithatë, regjisori shpjegon se në fillim ishin dakorduar me një familje tjetër, pos pas trysnisë që kishin marr në fund kishin vendosur që ata të largoheshin.

“Një javë xhirime kemi bërë me një familje tjetër dhe jo me burrin që shfaqet këtu. Megjithatë, e kemi kuptuar se ata nuk do të vijnë më në xhirime dhe kjo ka ndodhur për shkak të presionit që kanë marr nga Lista Serbe në Kosovë”, thotë regjisori, që sipas tij, këta të fundit kanë nën kontroll dhe dijnë shumë prej gjërave që ndodhin në vendin tonë.

Shfaqja e filmit dhe diskutimi u mbështetën nga Konfederata Zvicerane – Departamenti Federal i Zvicrës për Punët e Jashtme dhe National Endowment for Democracy (NED). /KultPlus.com

Të ngjajshme