Mes tensioneve dhe komunikimit përfundon festivali ‘Mirëdita, Dobar Dan’

2 Qershor, 2019 - 7:43 pm

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë është përmbyllur edicioni i 6-të i festivalit “Mirëdita, dobar dan”. Edicioni filloi me thirrjen “Le të bëjmë dashuri” të cilën e solli video instalacioni i artistit Shkumbin Tafilaj, një videoinstalacion i cili në vete ngërthen elemente nga historitë e të dy vendeve.

Në qendër të tij ishte dheu, një retrospektivë ndaj synimeve territoriale të cilat sollën vetëm dhembje për të dy palët. Mirëpo përtej dashurisë, edicioni i sivjetshëm i festivalit në Beograd u fokusua edhe tek dhembjet për të pagjeturit, tek “spiunët” dhe kreolët (njerëzit me gjak të përzier).

Pikërisht tek këto dy të fundit, festivali vë në pah vështirësitë që kanë pasur njerëzit të cilët kanë dashur një jetë të qetë, njerëz të cilët asnjëherë nuk zunë një vend në mes të serbëve apo shqiptarëve, por mbetën të linçuar nga të dyja anët. Festivali vuri në pah problemet e përbashkëta ndërsa përmes diskutimeve kërkonte zgjedhje për to.

Pasqyrues i problemeve u bë promovimi i antologjisë së dramave bashkëkohore të Kosovës, dhe pasqyrimi i historisë së Kosovës në tekstet shkollore në pesë vende të Ballkanit, duke përshirë edhe Serbinë. E para vuri në pah problemet e skenave teatrore ndërsa e dyta theksoi nevojën për ndryshimin e klasave politike, solli keqkuptimet dhe steriotipet që ekzistojnë, potencoi se mosnjohja e njëri-tjetrit është burim për konflikt.

Ky edicion u zhvillua në kohën kur marrëdhëniet në mes të Serbisë dhe Kosovës janë në nivelin më të dobët që nga fillimi i Marrëveshjes së Brukselit. Dhe sipas sipas Kushtrim Koliqit nga organizata Integra nga Kosova, situata politike çdoherë ndikon edhe në rrjedhën e festivalit.

“Fatkeqësisht situata politike në mes Kosovës dhe Serbisë ndikon në rritjen e tensioneve gjatë ngjarjeve të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”. Fraksione të ndryshme radikale reagojnë edhe më ashpër kur në një formë apo tjetër stimulohen nga retorikat apo veprimet politike, që për qëllim kanë vetëm mohimin e së vërtetës në lidhje me të kaluarën dhe thellimin e ndasive në mes popujve”, theksoi Koliqi.

Madje, shfaqja e filmit “Ferdonija” në të cilin tregohen 24 orë nga jeta e Feronije Qerkezit, së cilës forcat policore serbe para syve ia morën burrin dhe katër fëmijë, nxiti reagim tek protestuesit. Situata e krijuar jashtë Dorcol Platz, vendit ku po shfaqej filmi bëri që pjesëmarrësit e festivalit për shkaqe sigurie të ju kërkohej që të qëndronin brenda edhe pas përfundimit të programit për atë natë.

Përderisa jashtë nxitej urrejtja dhe tentohej të kalohej kordoni i vendosur nga forcat e policisë, pjesëmarrësit e mbetur brenda, këmbëngulës në idetë e tyre, vazhdonin misionin e festivalit.

Diskutimet e zakonshme për muzikën, librat madje edhe opinionet e tyre për situatën politike, shërbenin si një bazë për krijimin e miqësive.

“Nëpërmes kulturës ne i paraprijmë proceseve, trajtojmë tema të cilat politika momentalisht i sheh si të dëmshme për agjendat e veta, trajtojmë çështje të cilat e sfidojnë diskursin momental, realizojme ngjarje që hedhin dritë mbi disa të vërteta që tjetri nuk mund t’i dijë apo ka një version të servuar paraprakisht, krijojmë mundësi për perspektiva dhe perceptime tjera më shpresëdhënëse”, tha ai.

Ndalimi i një festivali të tillë nuk do të arrihet edhe pse është e vërtetë që ai po zhvillohet në një ambient toksik. Madje idetë për zgjerimin e këtij festivali tashmë marrin frymë.

Këtë e theksoi edhe Koliqi për KultPlus.

“Në vitet e kaluara festivali “Mirëdita, dobar dan!” në Kosovë ka ardhur në një format tjetër nga formati që e kemi në Serbi. Formati i Kosovës ka konsistuar në realizimin e javës apo muajit të filmit të Bekim Fehmiut në Kosovë, duke krijuar kështu mundësi që qytetarët e Kosovës të shohin krijimtarinë fantastike të këtij artisti të jashtëzakonshëm, i cili është edhe inspirim i këtij festivali. Edhe këtë vit do të realizojmë disa aktivitete që në fokus kanë filmat e Bekim Fehmiut, duke pasur edhe debate që për temë kanë çështje të rëbndësishme për të dy popujt. Për vitet e tjera kemi filluar diskutimin e brendshëm që ta zgjerojmë festivalin në dy nivele: realizimin e prodhimeve artistike vetanake të festivalit, dhe prezentimin e prodhimeve artistike të krijuesëve nga Serbia në Kosovë”, tha ai.

Sigurisht që punën e këtyre organizatave e përkrahin dhe e mbështesin njerëzit nga të dy shtetet të cilët besojnë në idetë dhe qëllimet që ka ky festival. / KultPlus.com

Të ngjajshme