16 Gusht, 2025 - 4:05 pm
Një postim i publikuar nga PriFest në rrjetet sociale, prezanton një emër të shquar të industrisë globale të filmit: Mike Downey, një personalitet me ndikim të jashtëzakonshëm në kinematografinë evropiane dhe botërore, si kryesues i edicionit të sivjetshëm të Prishtina International Film Festival.
Downey është aktualisht Kryetar i Bordit të Akademisë Evropiane të Filmit, një pozicion që dëshmon për reputacionin dhe autoritetin e tij në fushën e artit filmik. Por roli i tij në industrinë e filmit shkon shumë përtej kësaj, ai është autor, kineast dhe aktivist, me një kontribut të gjerë në më shumë se 100 filma artistikë, si producent apo skenarist, transmeton KultPlus.
Përveç punës së tij artistike, Downey ka qenë dhe mbetet i angazhuar fuqishëm në çështje të rëndësishme shoqërore. Ai është një nga bashkëthemeluesit e Koalicionit Ndërkombëtar për Kineastët në Rrezik dhe për më shumë se një dekadë ka shërbyer si anëtar bordi i White Ribbon Alliance, një organizatë globale për shëndetin dhe të drejtat e grave.
Edicioni i 17-të i PriFest do të mbahet nga 9 deri më 14 shtator 2025, dhe me përfshirjen e Mike Downey-t si kryetar i jurisë kryesore, festivali konfirmon sërish statusin e tij si një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon. Në ditët në vijim pritet të bëhet publik edhe programi i filmave dhe anëtarët e tjerë të jurisë.
Me një figurë si Mike Downey në krye të jurisë, PriFest jo vetëm që rrit nivelin profesional të festivalit, por edhe forcon lidhjet mes kinemasë kosovare dhe asaj ndërkombëtare. Një hap i rëndësishëm për artin filmik dhe për prezantimin e Kosovës në skenën globale./KultPlus.com