Nderohen regjisorët e kinematografisë shqiptare, Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro

4 Mars, 2024 - 7:50 pm

Në kujtim të dy regjisorëve të njohur, Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro u zhvillua një mbrëmje artistike në Vlorë me pjesmarrjen e disa aktorëve të njohur. Ata sollën në vemendje kontributin e madh të dy regjisorëve që realizuan 13 filma artistikë dhe disa dokumentarë.

Me pjesëmarrjen e aktorëve të njohur Raimonda Bulku, Kristaq Skrami, Ndricim Xhepa, Bujar Asqeriu e Timo Flloko u organizua mbrëmja artistike në nder të dy regjisorë të njohur vlonjatë Ibrahim Muçaj e Kristaq Mitro.

“Ata në jetë dhe në art ishin bërë një. Është vështirë të gjendet ky model sot për shkak të egoizmit. Ata të dy kurrë nuk janë grindur në skenën e xhirimit. Ata bashkëpunonin shumë me njëri-tjetrin”, tha Bujar Asqeriu.

Muço dhe Mitro kanë pasur një karrierë të suksesshme në vitet ‘70-’80, ku së bashku kanë realizuar 13 filma, mes tyre, spikasin “Dimri i Fundit”, “Njeriu i mirë”, “Në prag të lirisë”, etj.

“Unë kam luajtur në filmat e tyre dhe kam marrë çmime, ishte e pamundur të mos kishe sukses me këta regjisorë”, tha  Raimonda Bulku.

Në skenë e teatrit “Petro Marko” u luajt muzikë klasike si dhe u shfaqen fragmente të filmave.

Mbrëmja artistike ishte emocionuese për familjarët e dy regjisorëve të ndjerë.

“Kanë kaluar shumë vite që ai nuk është më, por sot përmes kujtimeve m’u duk se m’u rikthye”, tha vajza e Kristaq Mitros.

Ibrahim Muçaj, lindur në 1944 ka ndërruar jetë në 2010-ën. Kristaq Mitro lindur në Vlorë në 1943 është ndarë nga jeta në vitin 2023. Me një karrierë të pasur artistike kanë realizuar disa dokumentarë si dhe 13 filma artistikë me bashkautorësi./shqiptarja.com/KultPlus.com

Të ngjajshme