Nesër fillon festivali i filmit në Sarajevë me edicionin e 31-të

14 Gusht, 2025 - 1:00 pm

Me ceremoninë e tapetit të kuq nesër në kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës (BeH) do të fillojë Festivali i Filmit në Sarajevë (SFF), i cili këtë vit mbahet për herë të 31-të.

Një tapet i kuq me motive tradicionale po përgatitet për ceremoninë e hapjes, e cila do të zhvillohet në Teatrin Kombëtar në Sarajevë. Figura të shumta nga bota e kinemasë rajonale dhe ndërkombëtare do të mblidhen në ceremoni.

Festivali do të hapet me shfaqjen e filmit “Paviljon” të regjisorit boshnjak Dino Mustafiq.

SFF, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe artistike të Sarajevës, do të paraqesë 50 filma që konkurrojnë në kategori të ndryshme për çmimin “Zemra e Sarajevës”.

Shqipërinë në Festivalin e Filmit në Sarajevë do ta përfaqësojë filmi artistik me metrazh të gjatë “Burri i shtëpisë” (“Man of the House”), me skenar e regji të Andamion Muratajt.

“Burri i Shtëpisë” është një produksion i shtëpisë kinematografike “Lissus Media” dhe përfaqëson Shqipërinë në një prej festivaleve më prestigjioze të Ballkanit dhe Europës Juglindore.

Filmi “Burri i Shtëpisë” fokusohet në karakterin e Franit, e cila, pavarësisht se ka lindur grua, ka zgjedhur të jetojë si burrë. Por kur Zana, mbesa që ka nën kujdesin e saj, ka nevojë për nënë, Franit i duhet të bëjë një zgjedhje të vështirë midis ruajtjes së statusit të një burrneshe apo rizgjimit së ndjenjave mëmësore, që i ka shtypur prej kohësh./KultPlus.com

Të ngjajshme