Nesër shfaqet premiera e filmit të restauruar “Gjeneral Gramafoni”

19 Prill, 2023 - 1:15 pm

Nesër do të shfaqet premiera e një prej filmave ikonë “Gjeneral Gramafoni” që është restauruar në qendrën “Dabimus srl” në Bari.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila shprehet se, “restaurimi i këtij filmi u bë falë bashkëpunimit të Arkivit Qendror Shtetëror të Filimit dhe Fondazione Gramsci di Puglia në kuadër të projektit “Për një rrjet institucionesh kulturore midis Pulias dhe Shqipërisë dhe nesër filmi do të shfaqet në Cineplexx (TEG)”.

Së bashku me premierën e filmit, tha Margariti, do të promovohet edhe libri i shkruar nga Ester Gjika “Film pas filmi – unë e bija e…”, si dhe një performancë e kabasë në klarinetë, interpretuar nga trio virtuoze: Sokol Bimi: Klarinetë, Fatmir Lela: Llahutë; Ronaldo Deda: Violinë.

Ministrja tha se, restaurimi digjital i filmit “Gjeneral Gramafoni” u realizua në qendrën Dabimus srl në Bari, nën drejtimin e profesorit Nicola Barbuti.

“Gjeneral Gramafoni”, konsiderohet një film ikonë nën regjinë e të madhit Viktor Gjika, me skenar nga Vath Koreshi dhe muzikë nga Aleksandër Peçi.

Procesi i restaurimit të filmave të vjetër shqiptarë ka nisur para disa viteve, ku janë realizuar disa nga prodhimet më të mira shqiptare si “Përrallë nga e kaluara”, “Nëntori i dytë”, “Tana”, “Vdekja e kalit”, “Vitet e pritjes”, etj./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme