21 Gusht, 2025 - 9:50 pm
Ish-inxhinieri i NASA-s, Mark Rober, është bërë më i fundit ndër yjet e YouTube-it që siguron një marrëveshje me Netflix.
45-vjeçari ka më shumë se 70 milionë ndjekës në YouTube dhe njihet për videot e tij të lidhura me shkencën dhe teknologjinë.
Tani, Rober ka krijuar një seri garuese për Netflix-in, të cilën po e realizon në bashkëpunim me kompaninë e produksionit të prezantuesit amerikan të “talk-show”, Jimmy Kimmel.
Rober po ndjek hapat e disa YouTuberëve të tjerë të famshëm, Netflix firmosi një marrëveshje me argëtuesen për fëmijë Ms Rachel më herët këtë vit dhe bëri një marrëveshje me krijuesit britanikë “The Sidemen” në vitin 2024.
Jimmy Kimmel, i cili e ka ftuar Rober disa herë në emisionin e tij Jimmy Kimmel Live!, tha:
“Nuk mund të presim ta prezantojmë një nga krijuesit më të zgjuar dhe më të mirë te Netflix.
Videot e Mark-ut janë kaq të zgjuara dhe shpikëse, sa është e lehtë të harrosh që janë edukative.”
Videot e Rober-it zakonisht arrijnë të paktën 10 milionë shikime, me shumë prej tyre që kalojnë 100 milionë.
Ekspertja e medias, Jo Redfern, thotë se platforma si Netflix po nënshkruajnë me krijues të suksesshëm të YouTube-it sepse ata tashmë kanë një audiencë të madhe dhe besnike.
“Ata nuk janë suksese të çastit, kanë kaluar vite duke ndërtuar audiencën e tyre, duke testuar përmbajtje dhe duke parë se çfarë funksionon,” tha ajo për BBC-në.
Sipas Redfern, shumë nga këta krijues janë prodhues, regjisorë dhe montazhierë të vetvetes, dhe zotërojnë një aftësi të veçantë, që shpesh mungon te platformat tradicionale të transmetimit.
Ndërsa shfaqja e Ms Rachel në YouTube u mor nga Netflix në të njëjtin format me katër episode ekskluzive, Rober do të zhvillojë një seri krejtësisht origjinale për audiencën e re.
Për shembull, CoComelon, një serial i animuar që nisi në YouTube në vitin 2006, u ble nga Netflix në 2020, por së fundmi kompania vendosi të mos rinovojë marrëveshjen. Tani, shfaqja me gati 200 milionë ndjekës në YouTube do të kalojë në Disney+.
Ndërkohë, The Sidemen, që përbëhet nga shtatë krijues britanikë, sollën reality-shfaqjen “Inside” në Netflix dhe kanë në plan të krijojnë edhe një version amerikan.
Duke folur për BBC-në vitin e kaluar, Vik Barn, një prej anëtarëve të Sidemen, tha se ata kishin “arritur kufirin” e asaj që mund të realizonin në YouTube.
Redfern shton se për krijues si Sidemen, që janë kontaktuar nga platformat e mëdha:
“Ekziston ende një lloj prestigji dhe legjitimiteti në bashkëpunimin me këto platforma.”
“Këta krijues janë operatorë të zgjuar dhe biznese mediatike në vetvete, dhe e dinë se të mbështeten vetëm te YouTube është e rrezikshme,” shtoi ajo.
Ata janë të interesuar të zgjerojnë aktivitetin, pasi mund të mjaftojë vetëm një ndryshim algoritmi për të tronditur të gjithë modelin e tyre të biznesit në YouTube.
Sidoqoftë, kalimi nga YouTube në platformat e mëdha nuk është gjithmonë i lehtë, siç tregon edhe shembulli i MrBeast me emisionin e tij në Amazon Prime, “Beast Games”, në vitin 2024.
Ky program ofroi një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për 1,000 pjesëmarrës dhe u promovua si shfaqja më e madhe garuese live në botë.
Megjithatë, një proces gjyqësor në SHBA është ende në zhvillim, pasi disa konkurrentë pretendojnë se janë keqtrajtuar gjatë xhirimeve.
Amazon thuhet se investoi 100 milionë dollarë në sezonin e parë, por MrBeast tha se gjithsesi doli jashtë buxhetit.
Megjithatë, “Beast Games” është rinovuar për dy sezone të tjera, dhe sipas Variety, tërhoqi 50 milionë shikime në vetëm 25 ditë pas premierës.
Sipas Redfern, platformat si Netflix dhe Amazon mendojnë vazhdimisht për “audiencat e së ardhmes”, por paralajmëron për rrezikun e lodhjes nga abonimet te të rinjtë.
Avantazhi i YouTube-it qëndron në faktin që është falas për përdoruesit, gjë që Redfern e përshkruan si “jashtëzakonisht tërheqëse”, për më tepër që shumë krijues gjenden në një platformë të vetme./BBC/KultPlus.com