Nga Adelina Ismaili e deri te arti i rrugës në Tiranë, Dokufesti befason me filmat e kategorisë kombëtare

9 Gusht, 2017 - 5:01 pm

Sarandë Selimi

Dita e pestë e edicionit të 16-të të DokuFest, solli në mbrëmjen e së martës katër filma, një film i shkurtër ndërsa tre të tjerë filma të shkurtër dokumentarë në kuadër të kategorisë kombëtare. Ekrani i madh i Kino Plato u hap me dokumentarin e shkurtër ‘Stacion’ nga regjisori i ri Leart Rama. Pas këtij erdhi dokumentari ‘Qyteti i mureve’ nga Eneos Ҫarka, pastaj filmi i shkurtër i Odeta Ҫunajt ‘Heaven has been fooled’ e krejt në fund dokumentari ‘Recollection’ i Art Haxhijakupit.

‘Stacion’, një formë e rrallë e tregimit të jetesës në malet e larta të liqenit të Fierzës
Leart Rama është rritur profesionalisht në DokuFest. Ai është produkt i shkollës së DokuFest-it për regjisorë të rinj. Pikërisht në këtë vend nisi t’i marrë hapat e parë për regji ndërsa tash vjen si një garues i denjë në kategorinë kombëtare. Learti solli një dokumentar interesant duke treguar brenda pak minutave jetesën në malet e larta të liqenit të Fierzës. Një histori interesante ku njerëzit hipnin dhe zbritnin nga trageti.
“Njëmend jam rritur këtu. Ky festival ma ka mundësuar ta njoh veten, tamam kush jam dhe më ka mundësuar të rritem. Kam qenë shumë i vogël, para se të ishte kjo autostrada Kosovë-Shqipëri dhe kemi udhëtuar shpesh me traget për të shkuar në Shqipëri dhe jam çuditur shumë me shtëpitë që i shihja maje malit dhe mendoja se si ka mundësi që njerëzit të jetojnë aty. Nga ideja ime e vogëlisë erdha deri te realizimi i këtij dokumentari ”, tha fillimisht Learti, i cili poashtu tregoi se këtë dokumentar e ka realizuar me paratë e xhepit, me zero buxhet. Pos realizimit të filmit, Learti është futur thellë në lëkurën e njerëzve që janë jo pak të izoluar duke jetuar në këto zona të harruara.
“Unë e kam xhiruar dhe montuar vet dokumentarin por e falënderoj edhe bashkudhëtarin tim, Lauretin, i cili e ka bërë edhe audion dhe mund të them se kjo ishte një eksperiencë jetësore”, u shpreh Learti, i cili mori shumë duartrokitje nga audienca që ishin në një numër goxha të madh.

‘Qyteti i Mureve’, hijeshia e grafiteve të rrugës apo art i pavlerësuar
Eneos Ҫarka është regjisor nga Tirana. Ai në DokuFest garon në kategorinë kombëtare me një dokumentar interesant e serioz në trajtim.
Është arti rrugor ai që paraqitet brenda 22 minutave nëpërmejt ekranit të DokuFest-it, ku Eneos sjellë artistët e grafitës në një dimension tjetër. Dy grupe artistike por me ideologji të kundërta. Grupi që punonin në marrëveshje me Bashkinë e Tiranës në përkrahje të kryetarit Erion Veliaj dhe në anën tjetër ishte grupi që refuzonte të bënte marrëveshje institucionale dhe donte ta vazhdonte artin e rrugës ashtu siç e ka historikun, në formë revolte.

‘Recollection’ dokumentar që paraqet Arkivën e viteve të 90-ta
Art Haxhijakupi gjatë studimeve ka punuar një temë e cila ka të bëjë me të kaluarën, dhe njëkohësisht është kapur me format e arkivave që ekzistojnë në Kosovë. Ai përmes këtij dokumentari 40 minutësh, paraqiti pamje të protestave në Kosovë, pamje të mbrëmjeve të maturës që janë mbajtur në shtëpi, këngë të Adelina Ismailit, të Shkurte Fejzës, fëmijë duke recituar poezi me motive kombëtare, lojërat e asaj kohe si ‘Super Mario’, ‘Borëbardha’ në gjuhën serbe.
“Sa i përket viteve ’90, personalisht e kam kuptuar se arkivat më shumë ekzistojnë në familje sesa në institucione. Ideja fillimisht ka qenë më shumë emocionale, më pas e kam kuptuar se në përgjithësi eksperienca e viteve ’90 është e neglizhuar në Kosovë dhe nuk merr vëmendje sa duhet, qoftë nga politika qoftë nga artistët. Kam parë që shumë njerëz nga industria akademike merren shumë me Kosovën, qoftë me të kaluarën apo të tashmen. Ma mori mendja se është një mundësi e mirë pasi kam pasur një material të duhur për ta krijuar një film”, tha Haxhijakupi, i cili vazhdoi tutje të flasë së si nëna e tij e ka një arkivë të mrekullueshme të xhirimeve familjare nga viti 1990 deri diku në vitin 2002.
“Ekzistojnë diku mbi 150 videokaseta në kuadër të dhjetë viteve. Ka qenë shumë e vështirë me e përzgjedhë materialin e duhur që i përshtatet një periudhe të caktuar e cila nuk ka qenë vetëm muzikë, jo detyrimisht një hare e fëmijëve por edhe një formë e rezistencës së një aparteidi të madh që ka ndodhur ndaj shqiptarëve të Kosovës. Forma se si e kemi shprehur dhe se si jemi munduar ta gjejmë atë hare kanë qenë shtëpitë. Mirëpo hulumtimi dhe shtjellimi i arkivit familjar ka qenë në përgjithësi i vështirë sepse ky film që është 40 minutësh ka mundur të jetë edh 6 orësh, por doli kaq”, u shpreh ai.
“Unë si fëmijë nuk kam pasur mundësi që të zbavitem me industrinë e kulturës përmes gjuhës time amtare, duke i përfshirë edhe rrethanat politike të asaj kohe, ky film për mua ka qenë një traumë e vërtetë dhe përmes këtij dokumentari unë e rivizitoj një traumë e cila i është nënshtruar fëmijëve të Kosovës në atë kohë. Njëkohësisht përfshirja e Borëbardhës është shumë intertekstuale që po besoj se i përshtatet edhe politikës së atëhershme”, përfundoi Haxhijakupi.

‘Heaven has been fooled’ dhe ëndrra e thyer
Një xham i thyer bëri që ish-këngëtarja të kujtohet për ëndrrat e saj. Ajo takoi adhuruesin e saj i cili ia ‘ktheu’ buzëqeshjen në fytyrë. Ishte ky filmi i Odeta Ҫunajt, i cili brenda 13 minutave solli një histori të ëndrrës së lënë në gjysmë të një këngëtarje. Ky film në kastën e aktorëve kishte aktorët Alban Ukaj, Astrit Alihajdaraj, Odeta Ҫunaj… Këta ishin filmat në kategorinë kombëtare që u shfaqën të martën mbrëma në DokuFest, duke iu lënë hapësirë sonte katër filmave të tjerë shqiptarë që garojnë në këtë kategori. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme