“Nga formati analog, tek ai digjital”, kinemaja si trashëgimi që duhet ruajtur

5 Korrik, 2022 - 11:30 pm

Një seminar 3-ditor trajnimi është duke u organizuar nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit me ndihmën e Fondacionit “Antonio Gramshi” (Fondazione Gramsci di Puglia), si pjesë e projektit “Për një rrjet institucionesh kulturore midis Puglias dhe Shqipërisë”.

Projekti është financuar nga Rajoni i Puljes, me qëllim forcimin e aftësive teknike në fushën e restaurimit, digjitalizimit, vlerësimit të trashëgimisë historike filmike, si dhe përfshirjen e publikut si pjesë aktive e saj.

Seminari me temë “Nga formati analog, te ai digjital – Kinemaja si trashëgimi që duhet ruajtur”, nisi sot dhe do të vazhdojë edhe në datat 6 e 7 korrik, në mjediset e AQSHF.

Fondacioni Gramsci di Puglia, rifilloi veprimtarinë e tij në Shqipëri, pas 3 vjet ndërprerjeje, për shak të pandemisë së COVID-19.

Punën e tij, fondacioni, do ta nisë me këtë seminar trajnimi në fushën e restaurimit dhe rivlerësimit të trashëgimisë kinematografike, për të vazhduar me tej me punë të tjera. Trajnuesi i këtij projekti të konsideruar si i pari i të tjerëve që do pasojnë, është Marco Lena, kërkues shkencor në Archives Audiovisuelle Senegal, ku ka ndihmuar në ruajtjen e trashëgimisë lokale. / KultPlus.com

Të ngjajshme