Nga kalldrëmet e Prizrenit tek reflektorët e Hollywood-it, Bekim Fehmiu u rikthye dje në vendin e tij të preferuar

17 Nëntor, 2023 - 1:24 pm

Jeta Zymberi

“Nëse e fitoj këtë rol, unë shkova”, këto ishin fjalët e Bekim Fehmiut drejtuar vëllait të tij, Arsim Fehmiut, pasi kishte marr në duar skenarin e filmit “Mbledhësi i Puplave”. Ashtu siç e kishte parashikuar edhe vetë Bekimi, ky film ishte drita jeshile për aktorin tonë i cili do ta sillte në krye të skenës së artit botëror.

Madhështia e Bekim Fehmiut dje u rikthye në Kinemanë ABC përmes filmit dokumentar  të cilin e punoi me shumë dashni regjisori Valmir Tertini. Ky film ishte një kthim në kohë, një rikthim i emocioneve dhe shpërblim i vogël për punën e jashtëzakonshme të aktorit pasi filmi solli një kujtim të bukur që do të ruhet në historinë e kinematografisë, shkruan KultPlus.

Hyrja për në kinema dje nuk ishte e lehtë, pasi numri i të interesuarve ishte i madh, por megjithatë të gjithë zunë vendin e tyre dhe emocionet ishin në ajër pasi në një mënyrë ose tjetër, Bekimin do ta kishim në sallë.

Por para se të vijë ky moment, fjala ju dha kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Ramës i cili u shpreh se ky film mundohet të hedh dritë mbi figurën e Bekim Fehmiut.

“Në këtë film, arti i shtatë, rrëfimtaria si dhe historia e përbashkët e popujve të Ballkanit, ndërthuren nëpërmjet një emri të përveçshëm, atij të legjendës kinematografike shqiptare, jugosllave e botërore, të madhit, Bekim Fehmiut. Prej hapave të parë artistik që i nisi në kalldrëmin e Prizrenit e deri te reflektorët e ndritshëm të Hollywoodit, Bekim Fehmiu u ngrit si një gjigant që i ka kapërcy barrierat e kufijve dhe për këtë arsye emri i tij do të mbetet i gdhendur përgjithmonë në historinë e kinematografisë botërore”, u shpreh Rama teksa tha se ajo që e bën këtë dokumentar të veçantë është autenciteti i tij si portret real i aktorit.

“Historia e Bekim Fehmiut është më shumë se sa një Odise e suksesshme kinematografike, një dëshmi e fuqisë së artit për t’i kapërcyer hendeqet sado të mëdha që janë ato”, përfundoi Rama.

“Mirëdita” tha në shqip Branka Petric, zonja që ndau dallgët e jetës me aktorin tonë të madh e cila u ngjit në skenë për të thënë disa fjalë rreth këtij dokumentari dhe ndjenjave të saj të përziera në ato momente.

“Jam shumë e lumtur dhe njëkohësisht shumë e shqetësuar që jam e pranishme këtu sepse hapësira e Kinemasë ABC ishte vendi i preferuar i Bekimit”, tha Branka e cila shqetësimin e saj u mundua ta fshehtë me qeshje, një qeshje që dukej si një ironi thurur ndjenjave të saj dhe një barrierë përmes të cilës mundohej t’i mbante lotët.

“Kur erdhëm në Prishtinë ishte duke rënë një shi shumë i madh dhe ja sot dielli ka dal dhe ka zbukuruar këtë ditë”, u shpreh Branka duke na lënë të kuptojmë se Bekimi ishte dielli i Prishtinës në këtë ditë vjeshte.

“Shpresoj që do të ju pëlqej ky projeksion dhe jam e bindur se edhe Bekimit do ti pëlqej ky film sepse unë jam e bindur se është dikush atje lart që na sheh”.

Për të marr përshtypjet e tyre të gjithë të pranishmit, në ekranin e madh të kinemasë filmi nisi me aktin e vdekjes së aktorit, akt përmes të cilit jo vetëm u shua jeta e një ylli të madh por u privua edhe mundësia e dëshira e madhe e shumë njerëzve që ëndërronin ta takonin një ditë. Por ky akt i cili ndodhi më 15 qershor të vitit 2010 në apartamentin e tij në Beograd, kur ai ishte 74 vjeçar, nuk e zbehi asnjëherë madhështinë e tij e cila vazhdon të frymëzojë edhe gjeneratat e reja.

I lindur më 1 qershor të vitit 1936 në Sarajevë, në gjirin e një familje gjakovare, Bekim Fehmiu ishte i biri i Ibrahim Fehmiut dhe Hedijes. Pasi i ati i tij ishte internuar në kryeqendrën boshnjake nga autoritetet mbretërore jugosllave. Më 1939 familja u zhvendos në Shkodër, ku kaluan tre vite dhe pas bashkimit të një pjese të Kosovës me Shqipërinë e pushtuar nga Italia, u vendosën në Prizren.

Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë. Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore.

Fëmijëria e tij u rrëfye në këtë film nga vëllai i tij, Arsim Fehmiu, i cili mungoi në shfaqjen e këtij dokumentari, pasi vitin e kaluar u nda nga jeta. Por rrëfimi i tij tashmë ka mbetur i dokumentuar dhe emocionet i përçoi fuqishëm tek publiku.

Ndërsa bashkudhëtarja e aktorit, Branka Petric me të cilën ka edhe dy djem, rrëfimin e saj në këtë dokumentar e nis këndshëm. Pas 10 vitesh, ajo për herë të parë hapë valixhen ku ruante gjithçka që i përkiste bashkëshortit të saj, nga kapela me të cilën u paraqit te filmi “Mbledhësi i Puplave”, një fletore shënimesh, arma me të cilën luajti në një film e shumë gjëra të tera të çmuara të aktorit.

Gjatë rrëfimit të saj, Branka qan, qesh e madje edhe këndon derisa shpalos shumë detaje nga jeta e përbashkët me Bekimin.

Gjatë 60 minutave dokumentar i cili erdhi në formë të intervistave ekskluzive nga familjarë, të afërm, miq, artistë e bashkëpunëtorë, u shpalosën më shumë përshtypjet që këta personazh kishin për Bekim Fehmiu, por nuk munguan edhe detaje që zbulonin më shumë për karakterin e aktorit.

“Bekim Fehmiu ishte i madhërishëm dhe shumë modest në të njëjtën kohë”. “Ai ishte Odisea jonë”. “Bekimi ishte aktori më i madh i kohës sonë”. Këto ishin vetëm disa nga fjalët e shumta që u thanë për aktorin Bekim Fehmiu nga personazhet si: Enver Petrovci, Timo Flloko, Roza Agnanosti si dhe regjisorë e bashkëpunëtorë të huaj me të cilët punoi Bekim Fehmiu.

Një pjesë mjaft emocionuese e këtij dokumentari ishte edhe momenti kur Bekim Fehmiu kishte vizituar Shqipërinë në vitin 1972. Momente ku shfaqet malli dhe dashuria e tij për këtë vend. Gjatë kësaj vizite ai kishte shkuar edhe tek shtëpia në Shkodër ku i kaloi tre vite të fëmijërisë së tij.

Ky film dokumentar, është i pari krijim mbi figurën e Bekim Fehmiut i cili u ndërtua nga skenari i gazetarit Fahri Musliut dhe nënë përkujdesjen regjisoriale të Valmir Tertinit.

Padyshim që një film është e pamundur të mbërthejë gjithë jetën dhe karrierën e një ylli të tillë siç është Bekim Fehmiu, këtë e pranoi edhe skenaristi Fahri Musliu i cili u shpreh se nuk ishte i lehtë as vendimi për të pranuar ofertën e bashkëpunimit nga regjisori por gjithsesi për të kjo tashmë është një ëndërr e realizuar.

“Filmi nuk e prezanton Bekimin si figurë në totalin e plotë të tij, por vetëm në disa pjesë”, ka thënë Musliu.

Pas përfundimit të filmit dokumentar i cili u përcoll me duartrokitje të shumta, për KultPlus përshtypjet e saj i ndau edhe drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri. Sipas saj, është shumë e rëndësishme që tashmë është realizuar një film për figurën e Bekim Fehmiut sepse një i tillë i ka munguar shumë Kosovës.

“Ky film flet shumë për jetën e tij si artist dhe është diçka që i ka munguar Kosovës. Shpresoj që këtë film ta shohin sa më shumë njerëz, sa më shumë të rinjë, që ta dijnë se kush ishte Bekim Fehmiu. I uroj suksese regjisorit për këtë punë të madhe që e ka bërë sepse është shumë e rëndësishme të punosh film për një figurë kaq të madhe. Ky film e ofroj një dritare të vogël për madhështinë e Bekimit sepse shumë njerëz sot nuk e dijnë andaj filmat janë të domosdoshëm që këto të përcillen edhe te gjeneratat e reja”, u shpreh Zeqiri.

Ndërsa, profesoresha dhe shefja e Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Beogradit, Naile Imami e cila e njihte Bekim Fehmiun për vite të tëra në Beograd dhe njohu nga afër jetën dhe familjen e tij, në momentin që po e realizonim intervistën ende nuk kishte një mendim të prerë për filmin, por ajo ishte e sigurte për një gjë.

“Ende nuk kam një mendim të prerë për këtë film dokumentar për shkak të faktit se unë e njoha Bekim Fehmiun me vite të tëra në Beograd dhe njoh jetën e familjen e tij, di shumë gjëra të bukura dhe në këto momente i kam të përziera këto emocione. Në film, nuk pash shumë detaje për Bekim Fehmiun dhe për këtë më vjen keq. Gjithashtu përzgjedhja e personazheve që folën në film për Bekim Fehmiun nuk më pëlqeu sepse po të ishte Bekimi gjallë nuk do t’i pëlqente. Por e rëndësishme është që është realizuar ky film, më mirë pak se hiq”, u shpreh Imami ndër të tjera.

Krejt për fund, disa fjalë i ndau për KultPlus edhe personi i cili qëndron pas gjithë këtij filmi, regjisori i cili mori guximin të bëjë një film për një figurë kaq të madhe, Valmir Tertini. Ai shpalosi sfidat gjatë realizimit të këtij dokumentari të cilat nuk ishin të pakta.

“Ka qenë një sfidë e madhe si kohore ashtu edhe financiare për realizimin e këtij filmi. Por megjithatë filmi arriti të finalizohet pas më shumë se 5 viteve punë e peripeci. Unë kam vendos që në këtë dokumentar mos të përdorim asnjë fotografi por vetëm video, kryesisht nga filmat e tij dhe disa video janë ekskluzive”, tha Tertini i cili u shpreh tutje se figura e Bekimit ka qenë e keqkuptuar dhe beson shumë se ky dokumentar tregon shumë për të që nga lindja e deri të kulminacioni i tij.

Krejt për fund, Tertini tregoi se filmi pas premierës në Tiranë, Prizren dhe Prishtinë, do të vazhdoj me premierat e radhës në Beograd dhe Romë e gjithashtu do të udhëtojë edhe nëpër festivale. / KultPlus.com

Të ngjajshme