Nis xhirimet ‘The Land Within Me’, regjisori Maxville: Është i bazuar në fakte të vërteta

26 Shkurt, 2021 - 9:01 pm

Xhemile Hysenaj

Para një shkolle të braktisur, diku në një fshat të Vushtrisë, kish zënë vend ekipi i filmit ‘The Land Within Me’. Me skenarist dhe regjisor Fisnik Maxville, filmi kishte arritur të mbledhë një ekipë të jashtëzakonshme.

Në ditën e 16 të xhirimeve të këtij filmi, ekipi i KultPlus ishte i pranishëm në sheshxhirim, për të parë nga afër punën e madhe të këtij ekipi profesional.

Secili kishte zënë vendin e vet e me përkushtimin më të madh po kujdeseshin që gjithçka të ishte në perfeksion. Përderisa aktorët kishin hyrë plotësisht në rolet e tyre, regjisori po kujdesej të sillte në pah më të mirën, shkruan KultPlus.

Me një energji pozitive e me një intensitet të madh të punës, kjo ditë e xhirimeve po ecte si ishte më së miri, derisa ekipi i KultPlus po vëzhgonte gjithë procesin e punës.

“The Land Within Me” është një film që si asnjëherë më parë, trajton pasojat e pasluftës në Kosovë. Ngjarja ndahet në tri etapa, fillon në vitet e 80-ta për të vazhduar më pas me vitet e 90-ta dhe në fund shpalos të tashmen, Kosovën e pasluftës përmes dy personazheve kryesore, atë të Florist Bajgorës dhe të Luana Bajramit.

Filmi shpalos rikthimin dhe ballafaqimin e të kaluarës me të tashmen. Remo, roli i të cilit vjen përmes Florist Bajgorës, kthehet pas dhjetë viteve në fshatin e tij të lindjes për t’u përballur me një ngjarje tejet të rëndësishme së bashku me Unanë, rolin e të cilës e luan Luana Bajrami. Të dy këto personazhe do të sjellin pasojat e traumat e pasluftës, duke u përfshirë në zhvarrimin e një varreze masive e duke zbuluar kështu ngjarje e sekrete të familjes e të fshatit.

Fisnik Maxville, regjisori dhe skenaristi i këtij filmi, ka treguar për KultPlus se ‘The Land Within Me’ është i bazuar në shumë fakte të vërteta, në ngjarje që Maxville i ka lexuar e dëgjuar përgjatë viteve.

“Kam punuar mbi dy vite e gjysmë në këtë skenar. Pasi i kam realizuar disa filma të metrazhit të shkurtër e disa dokumentarë kam menduar se është koha e duhur të filloj me një film të metrazhit të gjatë. Ideja kryesisht më ka lindur gjatë filmit ‘Lost Exile’ të cilin e kam realizuar në Kosovë në vitin 2016 dhe kam dashur që për filmin tim të parë të metrazhit të gjatë të kthehem sërish në Kosovë”, ka treguar Maxville për KultPlus.

Regjisori poashtu ka theksuar se skenari i këtij filmi ka qenë shumë sfidues për të. Ndërkaq, për procesin e punës në tërësi ka thënë se deri tani është shumë i kënaqur me komplet punën ekipore.

“Ekipin e Kosovës e kam njohur mjaft mirë dhe kam qenë i bindur që gjithçka do të shkojë si duhet. Kemi kaluar mirë edhe gjatë ditëve kur moti ishte më i ftohtë, me borë, shi e ngrica”, tregonte kështu regjisori edhe për ditët e vështira që i kanë kaluar.

Sa i përket aktorëve, barrën më të madhe në këtë film e bartin Floristi dhe Luana, dy aktorët kryesorë të cilët Maxville i kishte zgjedhur qysh moti.

“Dy aktorët kryesorë janë me të vërtetë të mrekullueshëm dhe mendoj që versionet e fundit të skenarit janë shkruar sipas tyre, e kam ditur mirë se këta personazhe dua t’i zhvilloj ashtu siç i kam zhvilluar kur e kam ditur që Floristi dhe Luana kanë me qenë në rolet kryesore. Jam jashtëzakonisht i kënaqur me ta, poashtu edhe me kastin e dytë të aktorëve të cilët kanë një angazhim jashtëzakonisht të madh”, ka potencuar Maxville për KultPlus.

Ndonëse filmi ka pothuajse edhe katër javë xhirime dhe jo vetëm në Kosovë, e tutje e pret një punë e madhe, Maxville tashmë e ka ndarë mendjen për shumë gjëra.

Ai tregoi për KultPlus se komplet realizimi i filmit pritet të bëhet gjatë verës së këtij viti, ndërkaq, duke pasur parasysh situatën pandemike akoma nuk ka ndonjë datë të saktë për premierën e filmit. Mirëpo, ai shpreson që premierën e filmit ta bëjë në Berlinale ose në Cannes.

“Një premierë në Cannes do të ishte premiera ideale për këtë film dhe pse për mua është shumë e rëndësishme që filmi të ketë edhe një premierë në Kosovë”.

Filmat nga Kosova po marrin vëmendje në gjithë botën madje edhe duke u shpërblyer me çmime kryesore në festivale prestigjioze. Ky fakt e gëzon dhe e motivon tej mase regjisorin Maxville, i cili thekson se filmat kosovarë po e thejnë stereotipin se në Ballkan nuk ka përvojë profesionale, pasi siç thekson ai, kjo gjë nuk është aspak e vërtetë pasi vetë ai e ka hetuar profesionalizmin e ekipës qysh në ditën e parë të xhirimeve.

“Shumë motivuese t’i shohësh filmat e Kosovës ose të rajonit duke treguar storje që janë jashtëzakonisht interesante për publikun ndërkombëtar, për mua është një motivim shumë i madh kur po i shoh sukseset e këtyre filmave të fundit në Kosovë”, ka përfunduar Maxville.

Ndërsa Valon Bajgora, producenti i këtij filmi, ka treguar për KultPlus se bashkëpunimi me Fisnik Maxvillen ka ardhur qysh para pesë viteve kur këta të dy ishin takuar në Festivalin e Filmit në Berlin.

“Bashkëpunimi me Fisnikun ka ardhur qysh para pesë viteve në Festival në Berlin ku jemi takuar dhe më ka treguar për filmin e tij “Lost Exile” dhe prej asaj kohe kemi bashkëpunuar në përgatitjen e atij filmi dhe kështu kemi mbajtur kontaktet. Sa i përket projektit të tanishëm e ka pasë edhe atëherë si ide që kur të vjen koha për realizim e filmit të bëjmë një bashkëpunim mes Kosovës e Zvicrës edhe kështu ndodhi”, tregon Bajgora për KultPlus.

Në pyetjen se cili ka qenë mendimi i parë kur e ka parë skenarin, Bajgora është përgjigjur: I guximshëm. Pasi siç ka deklaruar tutje ai, filmi shpalos një tregim shumë të guximshëm mbi pasojat e pasluftës, një temë që deri më tani nuk është treguar asnjëherë, të paktën jo nga një këndvështrim si ky i tanishmi.

“Ne si ‘Ikonë’ kemi dëshirë të përfshihemi në projekte qysh në fazat e hershme, për arsye sepse kemi dëshirë t’i zhvillojmë skenarët e idetë bashkë me regjisorë, duke dhënë kështu edhe imputin kreativ nga ana e produksionit”, ka deklaruar Bajgora.

Ndër të tjera, ai shprehet shumë i kënaqur me punën e ekipit në përgjithësi. Me një ekip që përbëhet nga shtete si Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Zvicra ku të gjithë anëtarët kanë një përvojë shumë të madhe në industrinë e filmit, duke bërë kështu që xhirimet të ecin edhe më shpejtë se që është planifikuar.

Krejt për fund, Bajgora ka treguar se tashmë veç janë në kontakt me disa shtëpi që merren me shitjen dhe distribuimin e filmit të cilët së pari do të shohin draftin e parë të filmit e më pasë do të diskutohet edhe për hapat e mëtutjeshëm.

“Ne si produksion së pari i japim fokus projektit pastaj bashkë me partnerët tanë e bëjmë strategjinë e festivaleve ku do të shfaqet filmi”.

“The Land Within Me” është bashkëprodhim i “Alva Film” – Zvicër dhe “Ikonë Studio” – Kosovë dhe qysh në fillim po premton shumë dhe ne si KultPlus u larguam nga vendxhirimi me shpresë që për filmin në fjalë do të shkruajmë shumë shpesh falë suksesit që pritet ta ketë. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme