Një bisedë me njeriun prapa animacioneve të serisë ikonike South Park

28 Korrik, 2023 - 7:31 pm

Producenti dhe drejtori i animacionit i serisë së animuar për të rinj, South Park, ishte mysafir në Kosovë gjatë fundjavës së kaluar.

Ai të shtunën foli para admiruesve kosovarë të kësaj serie në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, si i ftuar i veçantë i Festivalit për Filma të Animuar Anibar.

Emisioni KultOra në Klan Kosova zhvilloi një bisedë të shkurtër me të në barin e kësaj kinemaje, ku ai foli pakëz për rrugëtimin e tij në karrierën si animator, e pakëz edhe nga përvoja e tij në prapaskenën e South Park.

Si është të paguheni për diçka që duket të jetë shumë argëtuese për t’u bërë?

Është e mrekullueshme që paguhem për ta bërë këtë që e bëj sepse është shumë argëtuese. Është sikur të rrish me shokët tu së paku një ose dy herë në vit gjatë kohës sa jemi në produksion. Dhe, ka qenë gjithmonë ëndërr e imja që të jem pjesë e një familjeje të ngushtë si South Parku, e lëre më të paguhem për këtë gjë. Është një ëndërr e realizuar për të cilën e di që shumë njerëz nuk kanë shansin që ta realizojnë. Do të doja që të mund t’ua thosha: bëjeni atë që doni. E di që është vërtet shumë e vështirë, mirëpo vazhdoni kërkoni, vazhdoni provoni, sepse është diçka shumë e shpërblyeshme.

Ju vini nga një qytezë e Kolorados. Ishit me plot ëndrra për të punuar në Disney, që njihet për tregime të mëdha, peizazhe e pallate. Mirëpo në fund, përfunduat duke bërë diçka po aq të madhe por që për temë ka pikërisht një qytezë. Çfarë ju ka mësuar kjo?

Oh, më ka mësuar që ekziston gjithmonë një shans. Doja që të bëhesha një artist i madh i Disneyt, janë të gjitha hollësitë e të qenët artist i mirë dhe të diturit e vëllimit se si funksionin animacioni dhe momenti i të ndodhurit. E në këtë rast, South Parku, ishte, epo në rregull – mund të mësoj prej tij. Kur po e bënim South Parkun në fillim, nuk e dinim se sa gjatë do ta bënim, mirëpo është gjithmonë një proces i të mësuarit. Matti dhe Trey janë aq brilantë kur prekin tema të caktuara. Ndiej sikur jam gjithmonë duke mësuar. Jam gjithmonë duke mësuar për procesin, për animacionin, duke shikuar nivele të ndryshme të tjera të shkathtësive të artistëve që punojnë me ne. Jam gjithmonë i impresionuar. Pra, është gjithmonë mësim që është shumë mirë.

Ju kishit refuzuar t’i bashkoheshit Trey Parkerit në bërjen e filmit të parë nga dy filmat e shkurtët që i paraprinë serisë. Si ndiheni për mundësinë e dytë që ju dha për t’u rilidhur me Treyn?

Po punoja për Cellulloid Studios dhe po provoja që ta shprehja kreativitetin tim, andaj gjithmonë kam menduar që mund të filloja duke bërë regjinë e reklamave dhe që të mund të gjej një vendshkarkim të talentit tim aty. Prandaj, isha vetëm mjaftueshëm fatlum që Trey më tha: “hej, po duam ta bëjmë një tjetër kartolinë krishtlindjeje, dhe ishte takimi i përsosur sepse isha aty si asistent regjie. Ata kishin një tripod e Trey kishte nevojë për një tripod kamere andaj ishte shumë mirë të shihje atë duke i marrë me vete të gjithë shokët e tij në këtë udhëtim të pabesueshëm.

Sa i lirë jeni kreativisht në punën tuaj si drejtor i animacionit marrë parasysh që Parker njihet edhe si auteur?

Shumë, shumë vite më parë, Trey më pati thënë: “Erik mund të bësh çfarë të duash”. E dini, sepse ai e shkruan, ia bën regjinë dhe e editon pothuajse secilin episod. Pra, ai ma dha lirinë kreative: “Bëj çfarëdo që ke nevojë të bësh”. Në fillim, për shkak të ndikimit tim nga Looney Tunes, unë gjithmonë vija me animacione të stilit të Looney Tunes aty. Për shumicën e tyre, ai më thoshte: “Jo, kjo nuk është ajo që duam”. Dhe ai më pas e thjeshtësonte.  Me thjeshtësimin e tyre krijohej humori që është choppy animacion e që është stop-motion. Ai e bën këtë. Ende ngjan kështu. Ne e bëjmë 80 për qindëshin e episodit me një ekip prej 30 vetash, e pastaj vjen Trey dhe e bën gjithmonë si të vetin – sepse është regjisori.

Si e shihni faktin që një numër i konsiderueshëm i fansave vijnë te South Park jo vetëm për komedi, por edhe për këndvështrime sociopolitike?

Mendoj që është definitivisht një seri televizive me mësime nga e cila mund të nxirrni shumë. E kjo vetëm për vetëm që Matt dhe Trey e ekuilibrojnë njëri-tjetrin. Ata lexojnë shumë, dhe ulën për orë e orë të tëra për t’i diskutuar temat dhe se si duhet t’u qasen tregimeve. Mendoj që si shikues, ju i merrni të gjitha ato orë e orë që ata i derdhshin në seri vetëm nga ai narracion i shpejtë. Është definitivisht një mënyrë ndryshe e të menduarit. Është gati sikur të jesh duke dëgjuar një album roku dhe kur e dëgjoni, ju bën që mendoni ndryshe. Mendoj që kjo është ajo lloj gjëje që ata kanë vendosur ta bëjnë. Për çdo sezon ata donin që të ishte sikur albumi i atij viti, posaçërisht në fillim. Kjo ju bën të mendoni ndryshe  dhe t’u qaseni gjërave nga kënde të ndryshme.

Si një animator që vjen nga një qytezë e vogël, cfarë këshille keni për animatorë që vijnë nga vende të vogla si Kosova por që kanë ëndrra të mëdha?

Ju duhet thjesht t’i bëni animacionet tuaja. Të gjithë ata që i kam takuar në Hollivud i kanë mënyrat e tyre të ndryshme të arritjes te ajo pikë, dhe që të gjithë ne duhet ta gjejmë vetë mënyrën tonë. Prandaj për veten unë jam kritiku më i keq. Ta zëmë, vij me një ide dhe pastaj e kuptoj që tashmë e kanë bërë Simpsonët, dhe kështu i mbys idetë e mia. Mirëpo nëse ju mund të gjeni qasje të ndryshme rreth asaj ideje, ju thjesht mund ta merrni telefonin tuaj të mençur pasi që edhe telefonat kanë kamera stop-motion në to, ju mund ta merrni një kornizë një herë, dhe është shumë e lehtë të bëni një film të animuar dhe të mësoni nga ai. Pra, është një proces ku thjesht duhet të dilni dhe të vazhdoni të punoni dhe të mësoni nga gabimet tuaja. Chuck Jones kishte thënë shumë kohë më parë, që kur i keni mijëra vizatime të këqija, dhe se mënyra e vetme që  t’i hiqni qafe ato është që gjithsesi t’i vizatoni ato. E njëjta gjë me filmat stop-motion, mësoni se çfarë funksionon e çfarë jo.

Si arrini t’i përçoni gjithë ato emocione me atë që duket të jetë qasje minimaliste në animimin e personazheve tuaja?

Po, kjo është njëra prej gjërave. Kur punësojmë animatorë të rinj, janë po këto hollësi që i shikojmë. Sepse po, personazhet tona janë shumë bazike dhe jo aq të përpunuar, mirëpo ju mund të shfaqni shumëçka varësisht se ku i vini vetullat për shembull kur e bëni një personazh të zemëruar apo të keq. E kemi edhe një gjë të cilën e quajmë “goja numër tetë” e që është gojë tepër pak e hapur, mirëpo e cila është shumë shprehëse. Ama këto janë këto hollësitë se ku i vëmë për shembull vetullat dhe elementet tjera që njëmend ua japin personazheve tona personalitetet dhe emocionet. Pra është shumë e hollësishme.

Qëndrimi juaj ndaj pranisë së inteligjencës artificiale në animacion?

Mendoj që mund t’i asistojnë personat mesatarë që duan të bëjnë animacione. Mendoj që ata do të mund të futen dhe ta përdorin IA-në dhe të animojnë. Me shumë gjasë ju do të mund ta bëni diçka në stilin e Simpsonëve, apo në stilin e South Park, mirëpo mungojnë ato hollësi për të cilat po ju flisja më herët. Ato hollësi të animacioneve tuaja që vërtet bëjnë që diçka të jetë shumë speciale. Është po ashtu edhe tregimi. Pra, janë të gjitha këto gjëra që duhet të bëhen bashkë dhe në fund është personi që po i shikon ato. Sepse IA-ja nuk do ta shikojë veten dhe të argëtohet nga vetja. Është personi që e ka mundësinë ta shikojë. Secili projekt që është bërë me IA, varet nga audienca që të gjykojë se çfarë po shikojnë. Sepse edhe filmat e gjatë sot, me buxhete të mëdha, po përdorin kompjuterë që t’i bëjnë njerëzit më të rinj dhe gjëra të tilla, e që ende nuk po duket edhe aq mirë. Pra mendoj që krejt varet nga ana tjetër, pra nga shikuesit dhe audienca juaj që ta shohim nëse nxjerrin diçka nga ajo, se çfarë ata duhet të nxjerrin nga ju që përdorni IA-në si mjet. Mendoj që do të jetë e dobishme. Mirëpo në fund është puna te ata që e editojnë, te ajo se kush e sjell produktin final, dhe se a e pëlqen audienca këtë gjë?/KlanKosova/KultPlus.com

Të ngjajshme