17 Gusht, 2017 - 9:35 am
Filmi artistik “Një film i premtuar”, që sjell varfërinë e Shqipërisë në vitet ’90 ka bërë bashkë skenaristin e regjisorin Petrit Ruka dhe kompozitorin e njohur Aleksandër Lalo. Janë dy autorë të njohur, që po punojnë për këtë film, i cili pritet të jetë premierë në vjeshtë, kjo dhe sipas kontratave që kanë me Qendrën Kombëtare të Filmit.
Një projekt filmik, i cili ka mbaruar xhirimet në Bënjë të Përmeti dhe sjell këtë herë në vëmendje një tjetër histori për publikun. Regjisori tregon se filmi merr ngjyra trishtuese për një ëndërr që është shumë e vështirë të realizohet në ato vite. Ndërsa kompozitori i njohur Aleksandër Lalo e vlerëson jo pak këtë bashkëpunim këtë herë me regjisorin Petrit Ruka në filmin me titull “Një film i premtuar”.
“Muzika është mbi filmin dhe sigurisht që unë e vlerësoj shumë Perit Rukën. E kam parë filmin dhe mua personalisht më duket një film jashtëzakonisht interesant. Një film i xhiruar shumë mirë dhe thjeshtë në Bënjë të Përmetit. Një film që ka një fabul interesante”, pohon kompozitori Aleksandër Lalo.
Por emrin e tij në muzikë e mbajnë disa nga prodhimet më të suksesshme të kinemasë shqiptare. Kompozitori tregon se rikthehet si autor muzike në film, që pas dokumentarit “Kadare”.
“Unë kam shkruar muzikë filmash ndër vite. Por me këtë bashkëpunim për të cilin jemi duke biseduar me Petrit Rukën unë rikthehem, që pas dokumentarit mbi Ismail Kadarenë me regji nga Pirro Milkani, që titullohej “Kadare”. Por mua më pëlqejnë shumë dhe filmat artistikë dhe besoj që me Petrit Rukën do të bëjmë diçka të mirë”, pohon kompozitori Lalo, një nga emrat më të vlerësuar dhe të suksesshëm në muzikën e filmave shqiptarë.
Regjisori Petrit Ruka pohon se pas xhirimit të filmit tashmë ka
mbaruar pjesa më e madhe e punës, në përpjekje për të gjetur dhe financime të tjera për të përfunduar të gjithë këtë projekt.
“Në vjeshtë filmi pritet të jetë premierë, pasi kemi dhe kontratën me Qendrën Kombëtare të Filmit dhe ju e dini që ajo zbatohet. Por do të shohim se si do të vijojmë punët për të vendosur përfundimisht”, bën me dije regjisori Petrit Ruka per Sotnews.
Filmi dhe financimi
Si skenarist dhe regjisor Petrit Ruka ka realizuar ndër vite më shumë se 30 vepra kinematografike. Këtë herë filmi i tij më i fundit me financim nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë sjell Shqipërinë në vitet ’90 kur sapo ishte ndërruar sistemi. Jetesa në Shqipërinë e atyre viteve nuk ishte e lehtë dhe emigrimi ishte i madh. Ngjarjet në film janë vendosur në një fshat, ku disa fëmijë kërkojnë të shikojnë një film të vërtetë. Ata mundohen shumë, por për këtë i ndihmon një italian, roli i të cilit luhet nga aktori i njohur Karafil Shena. Regjisori Ruka tregon se ky ka qenë një projekt i menduar që para shumë vitesh, por vetëm tani pas financimit të QKK u bë i mundur realizimi i tij. Por edhe pse filmi ka mbaruar xhirimet që janë zhvilluar në Bënjë të Përmetit, problemi që shqetëson autorin e filmit është buxheti. Ai tregon se ky është një problem që i vendos jo në pak vështirësi regjisorët në filma. “Filmi është me buxhet nga Qendra Kombëtare Kinematografike, por ju e dini se si janë problemet me kinemanë, buxhetet e pakta të vënë në vështirësi për realizimin e filmit. Por dhe në QKK e dinë këtë situatë, por gjithçka varet nga buxheti”, pohon mes të tjerave regjisori Petrit Ruka, ku veprën më të fundit të tij në kinema publiku do të mund ta gjejë gjatë ditëve të vjeshtës. / KultPlus.com