“Një udhëtim i shkurtër” i Erenik Beqirit pjesë e Festivalit të Filmit në Venecia, Luana Bajrami me rol kryesorë

25 Korrik, 2023 - 1:21 pm

Filmi i metrazhit të shkurtër, “Një Udhëtim i Shkurtër” i regjisorit Erenik Beqiri është përzgjedhur zyrtarisht për edicionin e 80-të të Festivalit të Filmit në Venecia në seksionin Orizzonti, përcjell KultPlus.

Regjisori Erenik Beqiri është shprehur i nderuar për këtë sukses dhe ka falënderuar të gjithë ekipin e filmit.

“Është një nder i madh të jesh pjesë e një eventi kaq prestigjioz kinematografik. Një falënderim nga zemra për të gjithë ata që e bënë të mundur këtë dhe qëndruan pranë, veçanërisht për kastën e talentuar dhe ekipin punëtorë, pa të cilët ky film nuk do të ishte i mundur”, ka shkruar regjisori Beqiri.

Në këtë film një prej roleve kryesore është aktorja dhe regjisorja kosovare, Luana Bajrami e cila poashtu do të jetë pjesë e Festivalit të Filmit në Venecia me filmin e saj “Bota jonë”. Luana do të ketë një paraqitje të dyfishtë në këtë festival, si aktore dhe regjisore.

Në qendër të filmit “Një Udhëtim i Shkurtër” është Klodi dhe Mira. Një çift i ri shqiptar, vendosin të martojnë Mirën me një francez për pesë vjet në këmbim të parave, për të marrë nënshtetësinë franceze. Më pas ata duhet të zgjedhin burrin e duhur për të dhe të mësojnë të heqin dorë nga njëri-tjetri.

Në këtë film luajnë aktorët: Luana Bajrami, Tristan Halilaj, Arben Bajraktaraj dhe Walid Afkir. / KultPlus.com

Të ngjajshme