“Njëqind vjet vetmi” e Garcia Marquez, së shpejti në Netflix

7 Mars, 2019 - 12:30 pm

Romani “Njëqind vjet vetmi” i shkrimtarit Gabriel Garcia Marquez do të përshtatet për herë të parë në ekran nga Netflix. Lajmi është bërë i ditur nga kompania, duke njoftuar se kishte fituar të drejtën për të zhvilluar në seri botimin e 1967-ës.

Djemtë e autorit, të cilët do të jenë prodhues ekzekutiv në projekt, janë shprehur se babai i tyre kishte marrë shumë oferta gjatë viteve për përshtatur librin në film, por ai ishte i shqetësuar se historia nuk do të përkthehej mirë në rast se do të përfshihej në një film të vetëm ose edhe dy. Sipas tyre, shkrimtari ishte gjithashtu mjaft i interesuar që tregimi të trajtohej në spanjisht.


“Në tre apo katër vitet e fundit, niveli, prestigji dhe suksesi i serive është rritur kaq shumë”, tha Rodrigo Garcia për vendimin e familjes së tij për të shitur të drejtat e zhvillimit tani. “Netflix ishte ndër të parët për të provuar se njerëzit janë më të gatshëm se kurrë për të parë seritë që prodhohen në gjuhë të huaja me titra”, u shpreh më tej ai.

Ndësa zëvendëspresidenti i prodhimeve origjinale spanjolle në Netflix, Fransisco Ramos deklaroi se kompania kishte provuar më parë për të fituar të drejta për romanin, por kishte hasur rezistencë. Ai vuri gjithashtu në dukje suksesin e serisë “Narcos” dhe filmit “Roma”, e cila fitoi së fundmi çmimin Oskar për filmin e huaj më të mirë.

Libri “Njëqind vjet vetmi” trajton jetën e familjes Buendia në qytetin fiktiv të Kolumbisë, Macondo, që u krijua pikërisht nga patriarku i kësaj familjeje. Është konsideruar si një kryevepër e letërsisë latino-amerikane, duke e katapultuar Gabriel Garcia Marques në majat e letërsisë latine dhe jo vetëm. Libri ka shitur që nga publikimi i tij rreth 50 milionë kopje dhe është përkthyer në 46 gjuhë.

Ende është shumë herët për të ditur se kush do të merret me skenarin e serive, por Rodrigo Garcia u shpreh se janë tejet të angazhuar për të punuar me talente. Vëllezërit Garcia nuk do të përfshihen në prodhim, nën argumentin se duan t’i japin produktit hapësirë për një përshtatje tërësisht objektive. Sa i takon detajeve financiare të marrëveshjes, ende nuk janë bërë të ditura.


Të ngjajshme