Nuk iu dha çmimi: Familja e të ndjerit Chadwick Boseman reagon pas Oscars

27 Prill, 2021 - 9:55 pm

Familja e Chadwick Boseman, ylli i “Black Panther” që pritej gjerësisht të merrte Oscar si “Aktori më i mirë” pas vdekjes për rolin e tij në “Ma Rainey’s Black Bottom”, i ka ardhur në mbrojtje aktorit Anthony Hopkins që mori çmimin.

Vëllai i aktorit, i cili gushtin e kaluar ndërroi jetë nga kanceri në moshën 43-vjeçare, thotë se familja nuk ka asnjë problem ndaj Anthony Hopkins.

Në një deklaratë për TMZ, Derrick Boseman tha se vëllai i tij do të kishte qenë i pari që do t’i uronte Hopkins më të mirën pas fitores. Sipas tij, aktori i ndjerë do ta kishte parë fitimin e një Oscar si një arritje, por kurrë si një “mani”, duke shtuar se ai mendonte se të gjithë aktorët e përzgjedhur ishin të denjë për çmimin.

Rezultati i befasishëm të dielën në mbrëmje shkaktoi reagime të ashpra për mungesën e Hopkins gjatë transmetimit, si edhe ndërrimin e radhës së çmimeve.

Tradita e do që “Best Picture” është çmimi që mbyll ceremoninë e Oscars, por këtë vit, çmimi i fundit ishte ai për “Aktorin më të mirë” dhe kjo renditje e çmimeve nuk u pa si rastësore.

Në internet, njerëzit dhe kritikët e konsideruan vendimin e Akademisë fyerje si për Hopkins ashtu edhe për Boseman. Anthony Hopkins reagoi dje duke falenderuar Akademinë dhe duke vlerësuar të ndjerin Boseman./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme