Përditshmëria e Albanit nga Bekim Guri, pasqyrë e realitetit në Kosovë

6 Gusht, 2018 - 3:00 pm

Alberina Haxhijaj – Prizren

Mbrëmë në Prizren në kuadër të DokuFest-it është dhënë premiera kombëtare e dokumentarit ‘Routine’ nga Bekim Guri, shkruan KultPlus.

Pasi i është djegur shtëpia e familjes së Albanit së bashku me dy vëllezërit e tij, e tërë familja ka pësuar shok, çrregullim mental dhe një varfëri të madhe. Ndër familjarët që e përjetuan dhe e pësoi më së rëndi është Albani.

Albani, një fëmijë i pastrehë e më shumë probleme në familje, përmes jetës së tij pasqyron shumë mirë edhe një realitet kosovar. Ai është lënë anash nga shteti dhe shoqëria, derisa mëton t’u bëjë ballë sfidave për mbijetesë. Kështu dokumentari “Routine” tregon jetën e një qenie njerëzore të pafajshme, jeta e të cilit drejtohet nga vendime të vështira dhe i cili kalon nëpër një udhëtim të vështirë.

Albani është një fëmijë që bredh rrugëve për të kërkuar të holla, një fëmijë që rritet me një baba të alkoolizuar i cili vdes pastaj, një fëmijë me të cilin tallen kalimtarët e rastit, një fëmijë që i mohohet hyrja në teatër, një fëmijë që kërkon bukë nga paragostitë që shërbehen nëpër festivale.

Kjo histori ka bërë që regjisori Bekim Guri të kthehet çdo vit, prej 2009-2018, natën e viti të ri në Kosovë për të takuar Albanin dhe për të sjellë një pjesë nga realiteti i tij i dhimbshëm.

Regjisori Bekim Guri i cili ka munguar në premierën e dokumentarit në Prizren e konsideron këtë film një realitet të hidhur të një përditshmërie dhe të një rutine e cila vazhdon e tillë për shumë vite.

“Një realitet, që tregon pasqyrën e jetës sociale në vendin tonë”, kështu e konsideron regjisori atë që paraqitet në dokumentar, tregon producenti i filmit Valon Jakupaj.

Regjisori e ka takuar rastësisht personazhin e dokumentarit, Albanin dhe pasi që ka pasur një kamerë me vete ka filluar që të xhirojë por historia e tij e ka bërë regjisorin të rikthehet çdo vit për të sjellë një pasqyrim sa më të plotë e të fuqishëm.

“Kjo çka patë është jeta e Albanit i cili jeton nëpër rrugët e Ferizajt. Dokumentari është një pasqyre e jetës së Albanit që pak a shumë është paraqitur edhe këtu. Xhirimet janë bo çdoherë në natën e viti të ri, kemi një vit kur regjisori nuk ka rritur që ta takojë Albanin por kjo është rrjedha e filmit pak e shumë. Jeta e Albanit e cila del në pah çdo vit, natën e Vitit të Ri”, u shpreh ai.

Filmi “Routine” do të shfaqet edhe sot, më 6 gusht në DokuFest, prej orës 22:00, në KINO N’LUM, në Prizren. /KultPlus.com

Të ngjajshme