Përkujtohet aktori dhe regjisori i shquar Agim Qirjaqi

27 Janar, 2024 - 1:30 pm

Më 27 janar të vitit 1950 lindi aktori i mirënjohur Agim Qirjaqi (27 janar 1950-28 mars 2010).

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja e kujtoi sot, duke ndarë online një kolazh me rolet e shumta që Qirjaqi skaliti në kujtesën tone, si në teatër ashtu edhe në kinematografi.

“Në ditën e tij të lindjes, kujtojmë sot ikonën e kinematografisë shqiptare, aktorin dhe regjisorin e mirënjohur të shumë shfaqjeve teatrale e filmave shqiptar, Agim Qirjaqi”, shkroi ministri Gonxhja në rrjetet sociale.

Me dhjetëra role të spikatura dhe aftësi të rralla interpretuese, Agim Qirjaqi u bë një burim krenarie për kulturën dhe kinematografinë shqiptare. Agim Qirjaqi është vlerësuar me titullin “Artist i Merituar”.

Aktori dhe regjisori i shquar Agim Qirjaqi është vlerësuar pas vdekjes edhe me dekoratën “Nderi i Kombit”.

Ndër rolet e tij më të spikatura mund të përmendim rolet në “Lulëkuqe mbi mure”, “Apasionata”, “Tela për violinë”, “I dashur armik”, etj.

Kolegët e tij e kujtojnë me dashuri e respekt, si aktorin e madh poliedrik, inteligjent, elegant e tërë finesë, me një mimikë të pasur e vështrim të thellë, si regjisorin me mendje të hapur e pedagogun e përkushtuar. / KultPlus.com

Të ngjajshme