займ на карту онлайн потребительский кредит

Përkujtohet aktori i njohur Bujar Lako në 4 vjetorin e ndarjes nga jeta

26 Dhjetor, 2020 - 12:28 pm

Sot përkujtohet 4-vjetori i ndarjes nga jeta i njërit prej aktorëve më të mirë të skenës dhe të kinemasë shqiptare, Bujar Lako.

Bujar Lako lindi në Tiranë më 23 maj të vitit 1946 dhe ndërroi jetë më 26 dhjetor 2016.

Ai ishte një ndër aktorët më të vlerësuar në Shqipëri për aftësitë e tij në aktrim, pasi gjithmonë ishte vlerësuar si një aktor shumëdimensional. Ai vlerësohej prej kolegëve të tij dhe prej kritikës si një aktor që arrinte të realizonte më së miri personazhet që interpretonte duke u futur thellë në psikoanalizën dhe lëkurën e personazheve.

Kjo ishte edhe arsyeja se përse Bujar Lako gjithmonë që interpretonte rolet, arrinte të fitonte simpatinë e publikut dhe çmime të shumta.

Në teatër Bujar Lako ka interpretuar rreth 70 role në në shfaqje teatrore nga të cilët veçohen ato në veprat “Vdekja e një Komisioneri” A, Miller, “Ariu”A.P.Çehov, “Vizita e Inspektorit” Xh,Pristli etj, ndërsa në kinematografi, aty ku edhe publiku e vlerësoi edhe më shumë veçohen filmat “Përballimi”, “Gjeneral Gramafoni” ,”Udha e Shkronjave” si dhe në një nga produksionet më të vlerësuar edhe në Festivalin e Venecias, atë me titull “Muajt e Mjaltit”

Bujar Lako gjatë karrierës së tij u vlerësua edhe me shumë çmime. Disa herë ka fituar çmimin si aktori më i mirë në festivalet e filmave në Shqipëri, “Palmën e Artë” si aktori më i mirë në festivalin ndërkombëtar të filmit në “Cairo”, një festival i kategorisë “A” për kinematografinë botërore.

Bujar Lako është nderuar gjithashtu edhe me urdhrin “Naim Frashëri” i klasit të parë, me titullin “Artist i Merituar” në vitin 1985 dhe në vitin 2013 iu dha edhe titulli “Nderi i Kombit” nga presidenti i Republikës. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme