Përkujtohet aktori Sandër Prosi në 100 vjetorin e lindjes së tij

6 Janar, 2020 - 5:03 pm

Më 6 janar të vitit 1920 lindi në Shkodër, Sandër Prosi, i cili do të bëhej më vonë një prek aktorëve ikonë të filmit dhe teatrit shqiptar, personazhet e të cilit kanë mbetur në kujtesën e brezave dhe në arkivën e artë të kinematografisë.

Teatri Kombëtar në një kujtesë me rastin e 100-vjetorit të lindjes së artistit të madh, sjell edhe datat kryesore që shënuan jetën e tij.

Pasi mbaroi shkollën fillore vazhdoi gjimnazin e Tiranës. Merr pjesë në dramën “Vilhelm Teli”. Shkon për studime në Austri për dentist, të cilat nuk i mbaroi. Më 1947 merr pjesë në konkursin pranë Teatrit Popullor dhe e fiton atë. Që këtu fillon dhe veprimtaria e tij e gjerë dhe e larmishme artistike.

Sandër Prosi bën pjesë ndër ata aktorë ndihmesa e të cilëve është e lidhur me krijimin e artit tonë profesionist të skenës dhe ekranit, si dhe me arritjet e tyre më të shënuara. Ky aktor krijoi mbi 85 role në 75 vepra të autorëve tanë si A.Z. Çajupi, K. Jakova, B. Lëvonja, L. Papa, I. Kadare, T. Laço, R. Pulaha, D. Agolli, Dh. Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj.

Interpretoi në rreth 30 filma, ku krijoi role të tilla që kanë hyrë në fondin e qëndrueshëm të teatrit dhe kinematografisë tonë. Për ndihmesën e tij të madhe në zhvillimin e artit tonë skenik e kinematografik ai është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me Çmime të Republikës dhe me urdhëra e medalje. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme