Përkujtohet aktorja Besa Imami, “Artiste e Merituar”

21 Shtator, 2022 - 12:32 pm

Më 21 shtator 2014, u nda nga jeta aktorja Besa Imami.

Lindi në Gjakovë dhe pas vdekjes së të atit familja u shpërngul në Tiranë, ku megjithëse  në moshë të re, gjatë Luftës së Dytë Botërore u aktivizua në luftën Antifashiste.

Besa Imami e nisi karrierën e saj artistike në vitin 1946, karrierë e cila nuk do të kishte shkëputje deri në vitin 1988. Ishte Artisti i Popullit, Pandi Stillo, i cili e pikasi atë.

Besa Imami do të linte gjurmë me interpretimet e saj, në shumë realizime teatrale dhe kinematografike. Disa prej tyre ishin: “Komploti i të dënuarve”, “Mbi gërmadha”, “Lulet e shegës”, “Cuca e maleve”, “Streha e të harruarve” e të tjerë. Por Besa Imami do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve, si Donika e Skënderbeut, për interpretimin e saj të rolit të Donika Kastriotit.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell foto nga filmi si dhe dokumente që tregojnë se regjisori rus Jutkevic kishte insistuar që rolin e Donikës ta interpretonte një shqiptare, duke propozuar pikërisht Besa Imamin.

Në emër të kontributit të saj artistik, Imami u vlerësua me titullin “Artiste e Merituar”. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme