Përkujtohet aktorja e njohur Besa Imami, në 7-vjetorin e vdekjes

21 Shtator, 2021 - 10:57 am

Aktorja e njohur e skenës shqiptare Besa Imami si sot më 21 shtator 2014 u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë.

Imami lindi në Gjakovë, e pas vdekjes së të atit familja shpërngulet në Tiranë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore edhe pse në moshë të re aktivizohet pranë strukturave të organizatës komuniste (Debatik).

Më vitin 1946, fillon karriera e saj si aktore, që nuk do të kishte shkëputje deri më 1988 falë edhe përkrahjes së Artistit të Popullit Pandi Stillo i cili e pikasi atë. Karriera e saj do të lente gjurmë me pjesëmarrjen në shumë role dhe karaktere të ndryshme si në teatër në veprat “Komploti i të dënuarve”, “Mbi gërmadha”, “Lulet e shegës”, “Cuca e maleve”, “Streha e të harruarve” dhe në kinematografi ku roli më i dashur për shikuesit shqiptar do të ishte ai i Donika Kastriotit në filmin “Skënderbeu”.

Imami do të lente gjurmë në karrierën artistike shqiptare dhe si vlerësim ajo do të nderohej me titullin “Artiste e Merituar”.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në Shqipëri përkujton Besa Imamin duke publikuar dokumentet e  mëposhtme, të cilat tregojnë se aktorja Besa Imami është përzgjedhur për të qenë pjesë e trupës së aktorëve në filmin “Skënderbeu”. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme