Përkujtohet regjisorja Arzana Kraja, Çeku: Arzana iku herët, por la shumë për ta kujtuar

14 Nëntor, 2022 - 6:28 pm

Flonja Haxhaj

Mbrëmjen e së dielës, në përvjetorin e tretë të vdekjes u përkujtua regjisorja, Arzana Kraja, e cila u shua nga jeta në një moshë të re dhe në kulmin e krijimtarisë e saj artistike, përcjell KultPlus.

Familjarë, miq e kolegë, me lot në sy ishin mbledhur në Kino Armata, për të kujtuar më të dashurën e tyre, e ku u shfaq edhe filmi i saj ‘Fusha e Mëllënjave’.

Në akademinë përkujtimore të organizuar për nder të regjisores Kraja, i pari e mori fjalën ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku i cili u shpreh se Arzana iku herët por la shumë për t’u kujtuar dhe se puna të cilën ajo e përcolli në komunitetin artistik ishte dhe vlerësohet ende lart dhe e tillë do të jetë edhe në të ardhmen.

“Si personalitet i ri dhe i dalluar, Arzana realizoi shumë punë të mira e në shumë profile, bashkëpunoi dhe kontribuoi  shumë për të gjithë komunitetin e filmit dhe për artin e Kosovës. Ajo ishte pjesë e kineastëve tanë të suksesshëm dhe padyshim një prej anëtarëve shumë të denja të valës së re të regjisorëve kosovarë të suksesshëm me sukses kombëtar dhe ndërkombëtar.”, u shpreh Çeku i cili mes tjerash tha se veprimtaria e saj përfshiu formatet e ndryshme si filma të shkurtër, dokumentarë, realizime të shumta televizive dhe filma të metrazhit të gjatë.

Në frymën e vlerësimit të veprimtarisë së Arzanës, Çeku tha se në kuadër të kalendarit kulturor vjetor, Ministria e Kulturës dhe Qendra Kinematografike e Kosovës për të nderuar emrin dhe veprimtarinë e Arzana Krajës do të bëjnë hapjen e Muajit të Filmit Evropian që mbahet për herë të parë në Prishtinë dhe organizohet nga Akademia Evropiane e Filmit me partnerin lokal ‘Kino Armata’.

“Kështu do ta kujtojmë gjithmnë si një prej krijueseve të veçanta të kinematografisë kosovare, ku secili do ta mbajmë mend dhe do ta përcjellim në gjeneratat e reja për qasjen njerëzore para së gjithash, për shembullin e bashkëpunimit dhe për standardin e lartë të filmbërjes”, përfundoi Çeku.

I pranishëm në këtë ceremoni përkujtimore ishte edhe aktori Shkumbin Istrefi, të cilit po ashtu, Arzana Kraja ia besoi rolin kryesor në filmin ‘Fusha e Mëllenjave’.

Ai tha se ikja e hershme e Arzanës në moshën kur ishte në kulmin e pjekurisë artistike, nuk ishte një humbje vetëm për familjarët, miqtë dhe kolegët e saj, por edhe për artin kosovar, në të cilin Arzana me punën dhe veprat e saj la një trashëgimi tejet të çmuar.

“Punën e Arzanës e kam përcjellë qysh në kohën kur ajo ishte studente në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Si studente u shqua me një bagazh të madh të njohurive sidomos në fushën e Artit dhe Letërsisë. Puna e saj në detyra studentore më ka zgjuar kurreshtje tej mase duke më shtyrë që ta njoh më për së afër edhe personalitetin e saj.”, tha Istrefi, i cili më tutje vlerësoi Arzanën si një njeri të qetë dhe të sjellshme, por si një artste me plot emocion dhe  intelekt, kërkuese dhe e vendosur që idetë e saj t’i realizoj deri në fund.

“Personaliteti i Azanës ishte multidimensional, ajo dinte të komunikonte me secilin dhe në çdo nivel. Ky mentalitet shpërfaqej edhe në jetën e saj profesionale, me një lehtësi të paparë kalontenga temat e thella ose projektet me karaktere filozofike në projektet e karakterit zbavitës, fushë në të cilën oashtu kemi pasur një bashkëpunim të gjatë professional në serialin ‘Kafeneja jonë’”, shtoi Istrefi.

E përlotur, para pjesëmarrësve foli edhe shoqja e ngushtë e Arzanës, Teuta Krasniqi, e cila me emocione të mëdha tregoi lidhjen shpirtërore dhe profesionale që ato kishin bashkë.

“Ka qenë një periudhë e bukur e jetës ku unë dhe Arzana kemi qenë të pandashme, edhe pse shumë të ndryshme si tipe, në një mënyrë të mrekullueshme e kemi plotësuar njëra-tjetrën, e sidomos ajo mu. Kemi qeshur e jemi mërzitur bashkë, kemi  vallëzuar shumë e kemi ëndërruar shumë, kemi udhëtuar e kemi punuar shumë bashk. Unë sot e konsideroj veten shumë më të pasur shpirtërisht, intelektualisht e edhe profesionalisht falë Arzanës dhe falë shoqërisë që e kemi pasur bashkë.”, tha Krasniqi duke shpalosur kujtimet me Arzana Krajën.

Më pas, në emrin e familjes foli motra e Arzanës, Gresa Kraja, e cila mes lotëve rrëfeu dashurinë e madhe që Arzana kishte për Prishtinën.

“Pamja e saj e preferuar ka qenë në muzg, kur është mbuluar qielli prej sorrave, i ka pëlqyer rruga përballë Katedrales, në qershor kur qel bliri, çuditërisht ka pa diçka të bukur te hotel ‘Grandi’ dhe te arkitektura e tij. E ka dashur me shpirt muzikën, me vallëzu me atë muzikë nëpër Prishtinë. Ka ecur nëpër çdo cep të këtij qyteti, tu ja pa vetëm të mirat e duke ja nxjerrë të bukurat kur na kemi ditë me pa vetëm keq. Por mbi gjithçka, Arzana e ka dashtë Prishtinën sepse ju ka pasë të gjithë juve në të, familjen, dashninë e jetës së saj Albanin, shoqërinë, kolegët dhe bashkëpunëtorët.”, përfundoi Kraja, duke i falënderuar të gjithë për të gjitha fjalët ngushëlluese që i dhanë në këto tri vite pikëllimi.

E krejt në fund u shfaq filmi ‘Fusha e Mëllenjave’ i cili është prodhim i shtëpisë kinematografike Circle Production (Kosovë – Besnik Krapi) në bashkëpunim me Britaninë e Madhe dhe Action Production (Shqipëri-Gerta Qurku). Ky film është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, Shqipëri.

Në rolet kryesore janë: Shkumbin Istrefi, Astrit Kabashi, Melihate Qena, Abdinaser Beka, Ilire Vinca, Art Lokaj, Çun Lajçi, Xhevat Qorraj, Adem Karaga, Irena Cahani, Xhevdet Doda, Shengyl Ismajli, Ilir Prapashica.

Filmi portretizon Sylën (Shkumbin Istrefi), një ish-i burgosur politik, i cili kthehet në Kosovë pas 25 vjetësh. Në përballje me të shkuarën ai do të kërkojë arsyen e vërtetë të dhimbjes së tij.

Ju kujtojmë që Arzana Kraja vdiq më 13 nëntor të vitit 2019 në moshën 38-vjeçare./KultPlus.com

Të ngjajshme