Përmes ‘Klithma’ vjen rrëfimi i dhunimit të meshkujve gjatë luftës në Kosovë

26 Shtator, 2017 - 1:40 pm

Sarandë Selimi

‘Klithma’ me skenar të Korab Lecaj e Hazir Hazirit e regji të Korab Lecajt është ndër projektet që është mbështetur së fundmi nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Kësisoj ky film i metrazhit të shkurtër tashmë ka dhënë sinjalet e para për nisjen e xhirimeve që do të bëhen gjatë muajit tetor.

‘Klithma’ do të trajtoj temën më të ndjeshme të shoqërisë kosovare të pasluftës, e cila nuk është trajtuar deri më sot në një film. Përmes ‘Klithmës’ vjen dhunimi seksual i meshkujve shqiptarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në një rrëfim për KultPlus, regjisori i ‘Klithma’, Korab Lecaj, shpalosi detaje interesante për këtë projekt që rezulton i pari me këtë temë shumë të ndjeshme. Lecaj, foli për rrëfimin e filmit, aktorët, xhirimet, premierën e poashtu foli edhe për të veçantën e ekipit të filmit.

“Për përrallën e filmit mund të them shumë shkurt. Filmi “Klithma”, trajton temën më të ndjeshme të shoqërisë kosovare të paluftës, që është, dhunimi seksual i meshkujve shqiptar, gjatë luftës në Kosovë. Kush janë personazhet? Si e mbajnë të fshehur dhe kur ata e bëjnë publike plagën e tyre fizike dhe shpirtërore, kjo mbetet të shihet në film. Mbi të gjitha mund të them se, filmi është i inspiruar nga ngjarje të vërteta”, nisi kështu rrëfimin për KultPlus, Korab Lecaj, i cili vazhdoi tutje të flasë për kastën e aktorëve duke shpalosur edhe personazhet e ‘Klithma’.

“Në film janë gjashtë personazhe: dy role kryesore, burri dhe gruaja, të cilët do të interpretohen nga Hazir Haziri dhe Arjola Demiri, dy role dytësore gruaja e komshinjve që do të interpretohet nga Arbnesha Grabovci – Nixha dhe roli i Ramadanit që do të interpretohet nga aktori Alban Zogaj, poashtu edhe dy role episodike, gruaja e Ramadanit që do të interpretohet nga Kaltrina Zeneli si dhe gruaja e komshinjve të Ramadanit që do të interpretohet nga Rajmonda Ahmetaj. Do të ketë të angazhuar edhe disa etatistë”, pohoi Lecaj, duke thënë që xhirimet do të realizohen gjatë muajit tetor dhe do të zgjasin shtatë ditë.

Ndërkohë, regjisori Lecaj, tregoi për veçantin që do të ketë ky projekt. Ai për KultPlus, tregoi se në fillim të tetorit në Prishtinë nga Bosnja do të vjen drejtori i fotografisë, së bashku me ekipin e tij, Almir Xhikoli. “Almiri është njëri prej drejtorëve në të mirë të fotografisë nga Bosnja, i cili ka xhiruar dhjetëra filma të gjatë artistikë me regjisorë të njohur. Pra, ne kemi nderin pjesë të ekipit të filmit “Klithma”, ta kemi këtë artist”, theksoi ai.

Korab Lecaj si ko-skenarist dhe regjisor i këtij projekti, tha se për të personalisht është sfidë goxha e madhe, së pari tema e filmit që sipas tij është shumë e ndjeshme, pastaj barra artistike që e ka karshi kësaj teme. “Sfidues për mua e bën këtë projekt edhe fakti se ky është filmi i parë që e realizoj me para të taksapaguesve, që do të thotë projekt i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës”, tha tutje Lecaj.

Krejt në fund, Korab Lecaj shpalosi edhe muajin se kur pritet të dalë me premierë ky film.

“Filmi “Klithma”, në fund të nëntorit 2017 do të jetë i gatshëm, fillimisht për festivale ndërkombëtare të filmit, sepse synimi i ynë si ekip është që premierë botërore filmin ta japim në ndonjë festival të kategorisë A. Se si do të rrjedh ky proces, prite të shihet. Sigurisht për ne festivalet ndërkombëtarë janë të rëndësishme jo vetëm për faktin artistik, por edhe për temën e filmit, sepse synim yni është t’i tregojmë botës se çfarë kanë bërë serbët kundër shqiptarëve gjatë luftës së vitit 1999”, përfundoi Lecaj.

Ky film është prodhim i shtëpisë ‘Land Film’s’, ndërsa producent i tij është Besar Zahiti./ KultPlus.com

Të ngjajshme