Pesë filma shqiptarë konkurrojnë në ‘Eastern Neighbours Film Festival’

24 Tetor, 2017 - 1:41 pm

Pesë filma shqiptarë po konkurrojnë në Eastern Neighbours Film Festival në Hollandë, përcjellë KultPlus.

Bëhet fjalë për dy filmat premierë, “Lulet plastike” të Ylljet Aliçka si dhe filmi “Brava” i Bujar Alimanit dhe Erand Sojli që do të shfaqen në Hagë. Si dhe i ftuar special në ‘Eastern Neighbours Film Festival’ është dhe regjisori nga Kosova Dren Zherka, i cili do të prezantojë filmin ‘Eho’. Ndërsa Daniwlle Bremer do të prezantojë dokumentarin ‘Zoti i shtëpisë’ dhe Fisnik Maxhuni filmin e tij të shkurtër, ‘Lost Exile’.

Filmi “Lulet plastike” i cili vjen premierë në këtë festival e që mban firmën e Aliçkës si autor e regjisor, tregon historinë e jetës nën vetmi të një çifti të moshuar nga fshati që vijnë në Tiranë me entuziazëm në një dasmë ku janë të ftuar, dhe nga kënaqësia e madhe që do të jenë në këtë dasmë dhe do të shoqërojnë krushqit përballen me vetminë e të qenurit në një komunitet ndryshe. Por nga ky mënjanim, krahas kësaj ndjesie vetmie fillon dhe rizbulimi i njëri-tjetrit.

Filmi është bazuar në tregimin “Çifti” shkruar nga Aliçka. Ky film ka rikthyer në ekran aktorin e njohur Robert Ndrenika si dhe aktorët Zana Prifti, Gent Hazizi apo Elia Zaharia. Kjo është hera e dytë që Aliçka bashkëpunon me Ndrenikën pas filmit “Parrullat”, apo “Kronikë provinciale”.

Ndërsa filmi “Brava” me regji të Bujar Alimanit dhe Erand Sojli na çon në problemet e trazirave të reja që po përballet njerëzimi. Në qendër të filmit është Ariani, një 40 vjeçar shqiptar që shkon për të marrë sendet personale të djalit të tij, Denis, i cili ka humbur jetën në një atentat terrorist.
Rastësisht në parkingun e ndërtesës ai gjen dy refugjate siriane, Asian, dhe Lejlën, vajzën e saj 7 vjeçe. Pas kësaj Ariani vendos ti ndihmojë dhe i çon për ti strehuar në një hotel në periferi të Tiranës. Por këtu fillojnë dhe problemet. Asia dhe Lejla prezantohen me paragjykimin terrorist ndaj myslimanëve. Sportelisti nuk pranon ti strehojë edhe kundrejt pagesës.

I gjendur në këtë situatë, Arjani vendos ti marri në shtëpinë e tij. Ai i jep rrobat e gruas së tij Asias, dhe vajzës pizhamet e djalit të vrarë. Gjendja tensionohet kur në shtëpi vjen gruaja e Arianit, Flora.

Ky film trajton një temë që më parë nuk është trajtuar në kinematografinë shqiptare,frymëzuar nga ngjarjet që po ndodhin përreth me fluksin e madh të refugjateve sirianë, që ikin nga lufta në vendin e tyre e drejtohen për nga Europa. / KultPlus.com

Të ngjajshme