Petrit Malaj për humbjen e Xhevdet Ferrit: Arti dhe shoqëria humbën një thesar

18 Janar, 2020 - 9:00 pm

Fjalët nuk do të mjaftojnë kurrë për të shprehur dhimbjen e thellë të ikjes së parakohshme të njërit nga ne!

Universiteti i Arteve, familja e madhe me pedagoge e studentë, humbi një tjetër thesar. Një pedagog të ditur, një ish- drejtues të mire, një mik të paçmuar.

Xhevdet Ferri i përket elitës. Asaj elite ku bëjnë pjesë vetëm emra të tillë personazhesh, të cilët kthehen e rikthehen në memorien e të gjithëve pa të lodhur kurrë. Ata gdhenden në kujtesën e kohës dhe fitojnë përjetësinë.

Protagonist në dhjetëra filma, ndër më të suksesshmit, imazhi dhe portreti i tij u kthye e mbeti një emblemë e kinematografisë sonë. E jo vetëm kaq, misioni i tij i hershem por edhe i fundit ishte mësimdhënia. Një profesor i denjë për çdo auditor të artit, në çdo cep të globit. Studentët humben një korife të lojës aktoreske, e kolegët një shembull për t’u pasqyruar.

Njerëz si Xhoda, që vijnë me të tille mision, nuk do të ikin kurrë përgjithmone. Ata thjesht largohen, për t’u kthyer e rikthyer në çdo imazh e në çdo fraze. Në lojën e çdo aktori të ri, e në punën e çdo regjisori, ata mbeten një referim i denjë në çdo epoke!

Në perëndim të çdo jete, e rëndësishme është se si është jetuar. Profesor Xhoda jetoi qindra jetë dhe mori mijëra kënaqësi, duke lënë për në gjurmë të shndritshme të virtyteve të mëdha.

Kjo e bën fatlum e të pavdekshëm!

Prehu në paqe i dashur Profesor! /KultPlus.com

Të ngjajshme