Premiera e komedisë “Vendi më i humbur në Shqipëri”

17 Korrik, 2025 - 9:45 am

I lindur në Francë, me rrënjë spanjolle, Jean-Pierre Martinez, është një dramaturg me një rrugëtim interesant. Në mesin e krijmtarisë së tij është edhe komedia “Vendi më i humbur në Shqipëri”, premiera e të cilës u mbajt në amfiteatrin e Durrësit.

U ngjit për herë të parë në skenë në moshën njëzetvjeçare, jo si shkrimtar, por si baterist në grupe rok. Më vonë kaloi në fushën e reklamave, përpara se të niste një karrierë si skenarist televiziv. Në fund, u rikthye në skenë si dramaturg.

Premiera e komedisë “Vendi më i humbur në Shqipëri” u realizua nën regjinë e Andia Xhungës, kjo komedi solli në skenë një përzierje humori dhe reflektimi, duke fituar menjëherë simpatinë e publikut dhe duartrokitje të zjarrta.

E përkthyer në shqip nga Anxhela Çikopano, komedia u vu në skenë nga trupa e Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, që njëherësh janë edhe emra të njohur të skenës shqiptare.

Interesi i publikut ishte i jashtëzakonshëm me shitjen e të gjitha biletatve në dy netët e para në kohë rekord, duke e kthyer këtë shfaqje në një prej ngjarjeve më të spikatura kulturore të kësaj vere në qytetin bregdetar, përcjellë KultPlus.

Ngjarja zhvillohet në një fshat të vogël dhe të harruar, i cili rrezikon të zhduket përfundimisht nga harta. Në këtë realitet të zymtë, mbërritja e papritur e një gazetareje të famshme sjell përplasje botëkuptimesh, situata të papritura dhe skena komike që sfidojnë logjikën e përditshme. Një tablo sociale absurde dhe njëherazi thellësisht njerëzore.

Me ritëm të gjallë dhe humor, vepra ngre pyetje mbi ekzistencën, kujtesën kolektive dhe raportin e brishtë mes realitetit dhe absurditetit.

Skenografia dhe kostumografia janë realizuar nga Alketa Tragaj, ndërsa muzika origjinale mban firmën e Endri Sinës, duke i dhënë shfaqjes një dimension të plotë artistik./KultPlus.com

Të ngjajshme