Prerja e thonjve natën, macja e zezë e shumë besëtytni tjera në edicionin e trembëdhjetë të Anibar

9 Qershor, 2022 - 12:07 pm

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar ka shpalosë datat e edicionit të trembëdhjetë, i cili do të mbahet nga 13 deri më 19 korrik, shkruan KultPlus.

Tema e Festivalit për këtë edicon janë bestytnitë, dhe organizatorët kanë lëshuar një komunikatë mbu këtë temë, që bestytnitë, sipas organizatorëve, njerëz të ndryshëm i përcjellin në shumë situata e momente.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Anibar

A i keni ra ndonjëherë gurit e drurit? A e ndërroni rrugën kur para këmbëve ju kapërcen maca e zezë? A ju qorton nëna, babai, gjyshja e gjyshi kur prisni thonjtë e këmbëve gjatë natës?

A besoni në të mbinatyrshmen? Mistikën? Mitet? Legjendat? Bestytnitë?

Nëpërmjet gjithë këtyre viteve të traditës janë përcjellur në gjenerata e gjenerata ushqimi, veshja, mentaliteti, gjuha dhe mbi të gjitha, bestytnitë, sado moderne janë bërë kohërat. Qoftë fat i mirë apo i keq, nëm apo heks, sehir, helm magjik dhe hajmali fatsjellëse, kjo frikë e pa arsyeshme e gazmore na ka ndjekur me shekuj të tërë.

Ndonëse për disa, bestytnitë mund të duken të liga e të pa arsyeshme, disa të tjerë i shohin ato si ngushëlluese. Ato i ndihmojnë njerëzit të përballen me pasiguritë dhe duket se janë kulturalisht shumë të rëndësishme. Ndokush tjetër mund të thotë se i japin kuptim jetës sonë. Ngjashmëritë e bestytnive në kultura të ndryshme jo vetëm se na afrojnë, por ato gjithashtu prirën të na japin arsye të paimagjinueshme ose shpjegime mbi atë se përse ndodhin disa gjëra. Nganjëherë intuita mund të jetë e dobishme kur mbështillet me bestytni.

Trokitni tre herë në dru dhe tërhiqni veshin sepse si temë e këtij viti në Festivalin e Animacionit Anibar janë bestytnitë. Këtë vit, në qytetin mistik të Pejës, ne po mirëpresim besëtytnitë nga afër dhe larg për të bashkuar vende, komunitete, artistë dhe miq për të festuar besime të shumta. Ne po mblidhemi për të formuar një pikë qendrore për diversitetin, multikulturalizmin dhe për t’i lidhur të gjithë së bashku me temën tonë. Edhe pse jo të premten, edicioni i 13-të i Anibar fillon nga data 13 deri më 19 korrik. Numër ky që përfaqëson fatkeqësinë dhe fatin e keq por që pikëtakohet edhe me frikën, aq e rëndësishme sa për këtë punë një fobi e mban emrin e saj. Pavarësisht nëse jeni ose jo paraskevidekatriafobik, mos e humbisni rastin të jeni pjesë e kësaj jave të shenjtë bestyte.

Anibar ka qenë gjithmonë për promovimin dhe festimin e unitetit, diversitetit dhe kulturës; qoftë përmes filmave të animuar, muzikës, seminareve dhe paneleve. Një pikë takimi për krijuesit në të gjithë botën për t’u rritur, për të shkëmbyer njohuri, për të pasur një hapësirë për t’u ndjerë rehat dhe më e rëndësishmja: për t’u argëtuar. Si komunitet, ju mirëpresim (edhe gjyshërit tuaj bestyt) që të bashkoheni me ne në këtë përpjekje të fatit që rrëfehet nga të gjitha skajet e botës.

Besoni apo jo te besëtytnitë, Anibar mirëpret ardhjen tuaj në qytetin e Pejës nga data 13 deri më 19 korrik!

Ejani dhe shikoni botën përmes një pasqyre të thyer./ KultPlus.com

Të ngjajshme