Prezantohen filmat që do të shfaqen në ’10 netët e kinematografisë italiane’

6 Korrik, 2017 - 9:13 am

Ky aktivitet, që emërtohet “10 netët e kinemasë italiane”, do të nisë mbrëmjen e datës 10 korrik në Vlorë dhe do të vazhdojë përgjatë 10 javëve çdo të shtunë në mbrëmje.

10 filma të kinematografisë bashkëkohore italiane, do të shfaqen gjatë muajve të verës në qytetin e Vlorës, në një aktivitet disa javor organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, në bashkëpunim me Bashkinë e këtij qyteti dhe Muzeun Kombëtar të Pavarësisë.

Ky aktivitet, që emërtohet “10 netët e kinemasë italiane”, do të nisë mbrëmjen e datës 10 korrik dhe do të vazhdojë përgjatë 10 javëve çdo të shtunë në mbrëmje. 10 filma të përzgjedhur të kinematografisë italiane, të titruara në shqip, do të projektohen në hollin veror të Muzeut Kombëtar të Pavarësisë. Ky element konsiderohet një gjetje interesante, për shkak të simbolikës dhe vendndodhjes së godinës së këtij muzeu, në një nga zonat më të populluara veçanërisht në muajt e verës.

Kjo përbën edhe një nga faktorët, që impakti i këtij aktiviteti pritet të jetë i dukshëm, tek masa e gjerë e qytetarëve dhe turistëve të huaj dhe nga qytete të tjera të vendit, të cilët do të kenë mundësi të ndjekin falas produkte të njohura të kinematografisë italiane të të gjitha zhanreve.
Ky aktivitet, i pari i këtij lloji në Vlorë, u lansua të mërkurën përmes një konference për shtyp të Konsulles së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, Dr.Luana Alita Micheli, Drejtorit të Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, Istref Dobi dhe këshilltarit të kulturës në Bashkinë e Vlorës, Aulon Naçi.

Sipas Michelit, aktiviteti synon të krijojë një dimension të ri bashkëpunimi mes dy kulturave të dy vendeve tona, ku, kinematografia zë një vend të veçantë. “10 netët e kinemasë italiane, do të konsiderohen si një mundësi për t’u takuar, si një hapësirë bashkëpunimi, si një dimension njohjeje mes kulturave tona, si një mënyrë për të çuar tek publiku i gjerë, tek pushuesit dhe turistët, kinemanë bashkëkohore italiane”, u shpreh Konsullja e Përgjithshme e Italisë në Vlorë. Ajo tha se, edhe vetë posteri i këtij aktiviteti, përfaqëson simbolikën e lidhjeve dhe njohjeve të ndërsjellta mes dy vendeve e popujve tanë.

Istref Dobi, drejtor i Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, një nga mbështetësit e këtij aktiviteti, theksoi se, “10 netët e kinemasë italiane”, është vazhdë e aktiviteteve që janë zhvilluar në këtë institucion dhe që synojnë promovimin e kulturës, si një dimension i turizmit kulturor.

Për këshilltarin e kulturës në Bashkinë e Vlorës, Aulon Naçi, aktiviteti është një bashkëpunim efektiv mes kulturës sonë dhe asaj të vendeve të tjera, veçanërisht asaj italiane, shkruan Shqiptarja.
Mes filmave që do të shfaqen për publikun e gjerë, do të jenë edhe “Se Dio vuole”,me regji të Edoardo Falcone, “Bianca come il latte, rossa come il sangue”, me regji të Giorgio Campiotti, “Lo chiamavano Jeeg Robot”, me regji të di Gabriele Mainetti, “Belli di papa”, të regjisorit Giudo Chiesa, “La sedia della felicità”, me regji të Carlo Marzzacurati, “Scusate se esisto”, me regji të Riçardo Milani, “Fai bei sogni”, të regjisorit Marco Belloçhio, “Nuovo cinema paradise”, me regji të Giuseppe Tornatore etj.
Në një nga netët e këtij aktiviteti do të shfaqet filmi shqiptar me metrazh të shkurtër “Kooperative”, i regjisorit Neritan Mehmetaj, që është xhiruar në Vlorë dhe bazohet tek një ngjarje e vërtetë./KultPlus.com

Të ngjajshme