займ на карту онлайн потребительский кредит

PriFilm Fest zbulon “Kosovo’s Rising Stars” të edicionit të 10-të

21 Korrik, 2018 - 5:40 pm

Alberina Haxhijaj

“Kosovo’s Rising Stars” është një program i ri në kuadër të PriFilm Fest, që ka filluar vitin e kaluar dhe që ka për qëllim promovimin e aktorëve të Kosovës, shkruan KultPlus.

Në këtë edicioni të 10-të, Yjet e Kosovës në ngritje, të përzgjedhur nga PriFilm Fest janë: Afrim Muçaj, Armend Smajli, Bujar Ahmeti, Doresa Rexha, Fatlume Bunjaku, Florist Bajgora, May-Linda Kosumovic, Rifat Smani, Rina Krasniqi dhe Shpëtim Selmani.

Aktorët të cilët u zgjedhën në kuadër të këtij programi vlerësohen si një aset i çmuar i Kosovës në kuptimin e industrisë filmike.

Festivali përmes përzgjedhjes që bënë mundohet që të promovojë artistët dhe punën e tyre tregoi për KultPlus Fatos Berisha një ndër themeluesit e festivalit PriFilm Fest.

“Vitin e kaluar e kemi lansuar këtë projekt, kjo është hera e dytë. Do të tentojmë si festival që të ndihmojmë në promovimin e aktorëve sidomos në arenën ndërkombëtare në mënyrë që sa më shumë regjisorë dhe producent të huaj por edhe vendor të kenë mundësi që të njihen më punën e tyre, e që mund të rezultojë me angazhimin e tyre në projekte ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Në kuadër të Prifilm Fest sot në sallën e vogël të teatrit Kombëtar u dha një projeksion i veçantë, para të pranishmëve. Aty u treguan disa sekuenca nga filma të ndryshëm ku luajnë aktorët e përzgjedhur si pjesë e programit “Kosovo’s Rising Stars”.

“Në mesin e miqve të festivalit, ndërkombëtarëve por edhe para aktores Vanessa Redgrave, patëm prezantimin e aktorëve që janë pjesë e ‘Kosovo’s Rising Stars’. Ne do të vazhdojmë edhe në vitet në vijim për të përkrahur promovimin e aktorëve. E mira e gjithë kësaj është që ne kemi se çfarë të promovojmë pasi që kemi aktorë të mirë dhe dëshira jonë nuk mungon”, theksoi tutje Berisha.

Aktorët do të prezantohen përsëri në përmbyllje të edicionit të 10-të të festivalit pasi që dita e sotme mund të konsiderohet si një projeksion në hapësirë më të vogël, e që ishte i dedikuar për njerëzit të cilët janë pjesë e industrisë filmike.

“I jam shumë falënderues PriFilm Fest-it që na ka ftuar, është nder për ne të jemi këtu dhe të prezantojmë vetën tonë. Është nder të jemi pjesë e të zgjedhurve si “Yjet e Kosovës në ngritje”, u shpreh aktori Shpëtim Selmani.
Të jesh pjesë e kësaj përzgjedhje sipas aktores Fatlume Bunjaku është shumë e rëndësishëm për faktin se disa prej tyre, duke përfshirë edhe aktoren Bunjaku, janë në fillim të karrierës së tyre si aktorë.

“Besoj që rëndësia qëndron edhe te fakti se kjo bëhet pikërisht në kuadër të PriFilm Festi-it një festival i cili çdo vit e më shumë ka evoluar duke përfshirë këtu edhe mysafirët me nam botëror. Mbështetja e artistëve të ri është shumë e rëndësishme dhe ndjehem shumë e privilegjuar edhe për faktin që puna jonë është prezantuar edhe para aktores Vannesa Redgrave”, theksoi aktorja Fatlume Bunjaku për KultPlus.

Pikërisht ideja e projekti dhe përzgjedhja e vitit të kaluar ka qenë mjaft intriguese për aktoren Doresa Rexha e cila këtë vit përcolli përsëri ceremoninë e prezantimit, por tani si pjesë e ekipit të përzgjedhur nga festivali.

“Vitin e kaluar vetëm e kam përcjellë këtë program si shikuese dhe e kam vlerësuar shumë idenë e këtij programi. PriFilm Fest çdo herë është befasuese me përkrahjen që ua jep aktorëve. Kur mora lajmin që këtë vit unë jam pjesë e përzgjedhjes ishte një privilegj i madh”, u shpreh ajo për KultPlus.

Vitin e kaluar pjesë e përzgjedhjes në kuadër të “Yjet e Kosovës në ngritje”, ishin aktorët: Andi Bajgora, Blerta Ismaili, Dukagjin Podrimaj, Lum Veseli, Lyra Xhoci dhe Tristan Halilaj./ KultPlus.com

Të ngjajshme