Publikohet fotografia e parë nga seriali i ri “Harry Potter”, HBO zbulon kastin e ri

15 Korrik, 2025 - 4:15 pm

Magjia rikthehet me pamjen e parë nga adaptimi televiziv i shumëpritur i sagës “Harry Potter”. HBO publikoi sot fotografinë e parë zyrtare nga seriali, ku shfaqet aktori i ri Dominik McLaughlin në rolin e magjistarit të famshëm, duke mbajtur syzet karakteristike dhe veshjen klasike të shkollës së magjisë, Hogwarts. Në dorë ai mban një klaketë xhirimi, duke sinjalizuar fillimin e një epoke të re për fansat e kësaj bote të dashur.

Dominik McLaughlin do të pasojë Daniel Radcliffe në rolin që e bëri atë një ikonë globale, teksa HBO premton një “adaptim besnik” të librave të J.K. Rowling. Seriali do të publikohet në vitin 2027 në HBO dhe HBO Max, si dhe në disa tregje ndërkombëtare përfshirë Gjermaninë, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Produksioni ka zbuluar disa emra të rinj të kastit, si Rory Wilmot (Neville Longbottom), Amos Kitson (Dudley Dursley), Louise Brealey (prof. Rolanda Hooch) dhe Anton Lesser (Ollivander). Ndërkohë, emra të njohur që janë konfirmuar më herët përfshijnë John Lithgow si Albus Dumbledore, Paapa Essiedu si Minerva McGonagall, Janet McTeer si Severus Snape dhe Nick Frost në rolin e Hagridit.

Në qendër të serialit do të jetë treshja e re e protagonistëve: McLaughlin si Harry, Alastair Stout si Ron dhe Arabella Stanton si Hermione. Të tre aktorët e rinj pritet të udhëheqin projektin për të paktën një dekadë, sipas planeve afatgjata të HBO.

Autorja J.K. Rowling do të jetë vetë pjesë e ekipit si producente ekzekutive, duke garantuar që seriali do t’i qëndrojë sa më afër origjinalit letrar që ka magjepsur breza të tërë. Fansat anembanë botës tashmë janë në pritje të këtij udhëtimi të ri drejt Hogwarts-it./ KultPlus.com

Të ngjajshme