Qendra Kinematografike e Kosovës për herë të parë në tregun më të madh botëror të animacionit – MIFA në Annecy

11 Qershor, 2025 - 3:51 pm

Qendra Kinematografike e Kosovës është krenare të njoftojë pjesëmarrjen për herë të parë në Marché International du Film d’Animation (MIFA), tregu më i rëndësishëm dhe më i madh ndërkombëtar i industrisë së filmit të animuar, që zhvillohet në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit në Annecy, Francë.

Pjesë e këtij prezantimi janë edhe përfaqësuesit e festivalit Anibar, të cilët tashmë kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të animacionit në Kosovë. Në kuadër të kësaj pjesëmarrjeje më 13 qershor, Anibar do të organizojë “Anibar Genesis Pitch” ku do të prezantohen projektet e gjashtë animatoreve të reja kosovare: Fjolla Mani, Dëbora Musliu, Finesa Peja, Flaka Kokolli, Erza Qorolli.

Kjo iniciativë synon fuqizimin e zërave të rinj krijues dhe ngritjen e kapaciteteve vendore. Programi Genesis implementohet nga Anibar dhe Institut Francais Kosovo dhe mbështetet nga Ministria e Evropës dhe Punëve të Jashtme të Francës

Qendra Kinematografike e Kosovës po e shfrytëzon këtë platformë ndërkombëtare edhe për të promovuar skemën e Rabatit prej 30%, e cila përfshin dhe mbështet projektet e animuara – një masë që synon nxitjen e bashkëprodhimeve ndërkombëtare dhe zhvillimin e industrisë vendore të filmit.

Gjithashtu në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Ministrisë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ambasada e Kosovës në Francë do të organizojë një pritje më 12 qershor, dedikuar profesionistëve ndërkombëtarë të industrisë së animacionit.

Pjesëmarrja në MIFA përfaqëson një hap të rëndësishëm strategjik në drejtim të ndërkombëtarizimit të industrisë kreative në Kosovë. Përmes kësaj platforme, Qendra Kinematografike e Kosovës synon të krijojë mundësi të reja për animatorët e rinj, të forcojë rrjetëzimin ndërkombëtar dhe të nisë ndërtimin e një infrastrukture profesionale për prodhimin e animacionit në vend./ KultPlus.com

Të ngjajshme