Quentin Tarantino zbulon cili është filmi i tij më i mirë

20 Gusht, 2025 - 7:45 pm

Regjisori i njohur i Hollivudit, Quentin Tarantino, ka zbuluar se cilin nga filmat e tij e konsideron më të mirin, dhe ndoshta nuk është ai që do të prisnit.

Regjisori amerikan ka fituar dy çmime Oscar: një për skenarin e “Pulp Fiction” në vitin 1994 dhe një tjetër për skenarin e “Django Unchained” 18 vjet më vonë.

Por, asnjë nga këta nuk është filmi që ai e konsideron më të mirë, madje as të preferuarin e tij.

Në vend të tyre, Tarantino tha se filmi i vitit 2009 “Inglourious Basterds” është vepra e tij më e mirë, ndërsa i preferuari i tij është filmi i fundit që ka realizuar, “Once Upon a Time… in Hollywood”. Ai i bëri këto komente gjatë një interviste në podkastin “The Church of Tarantino”, në një episod të publikuar të premten.

I pyetur se cili film i tij është i preferuari, regjisori 62-vjeçar u përgjigj:
“‘Once Upon a Time… in Hollywood’ është i preferuari im, ‘Inglourious Basterds’ është më i miri, por mendoj se ‘Kill Bill’ është filmi më ‘Quentin’ nga të gjithë, askush tjetër nuk mund ta kishte bërë atë.”

I vendosur në Francën e pushtuar nga nazistët dhe me Brad Pitt e Christoph Waltz në rolet kryesore, “Inglourious Basterds” ndjek një grup ushtarësh hebrenj amerikanë që planifikojnë të vrasin liderët nazistë. Tarantino shtoi se çdo aspekt i historisë së dy pjesëve të “Kill Bill”, ku Uma Thurman luan një vrasëse që kërkon hakmarrje pasi zgjohet nga koma, buron nga imagjinata, pasionet dhe dashuritë e tij.

“Prandaj mendoj se ‘Kill Bill’ është filmi që kam lindur për ta bërë. Mendoj se ‘Inglourious Basterds’ është kryevepra ime, por ‘Once Upon a Time… in Hollywood’ është i preferuari im,” tha ai.

Megjithatë, disa nga filmat e tij kanë marrë edhe kritika.

I pyetur nëse do të ndryshonte ndonjë gjë nga veprat e tij, Tarantino pranoi se kishte bërë disa gabime gjatë rrugës.

“E vetmja gjë që më ‘pickon’ është disa pamje të vogla në ‘Reservoir Dogs’ dhe ‘Pulp Fiction’,” tha ai, duke shtuar se të dy kishin disa elemente “amatore”. Edhe pse ai “i do” të dy filmat, pranoi se ishin bërë në fillimet e karrierës së tij, kur “nuk e dija çfarë nuk dija.” Ai nuk deshi të tregonte gabimet specifike, por përmendi pajisje të dukshme në skenë, hijen e mikrofonit boom dhe shenjat në dysheme për pozicionimin e aktorëve.
“Të duhen të paktën dy filma për të kuptuar se si bëhet,” tha me shaka.

Gjatë intervistës, Tarantino tha se projekti i tij i fundit, “The Adventures of Cliff Booth”, vazhdim i “Once Upon a Time… in Hollywood”, ka nisur tashmë xhirimet.

“Once Upon a Time… in Hollywood” kishte në rolet kryesore Leonardo DiCaprion si aktorin televiziv në rënie Rick Dalton, dhe Brad Pitt si dublanti i tij Cliff Booth. Së bashku, përpiqen të rifitojnë famën dhe suksesin.

Tarantino kishte thënë më parë se filmi i radhës që do të regjistronte do të ishte edhe i fundit i tij. Fillimisht ishte përfolur se do të ishte një skenar i titulluar “The Movie Critic”, por ai e hoqi dorë nga ideja vitin e kaluar.

Duke shpjeguar pse e anuloi projektin, ai tha se humbi interesin për ta sjellë atë histori në ekran.

“E tërhoqa prizën,” tha ai.
“Isha shumë i entuziazmuar për shkrimin, por nuk isha edhe aq i ngazëllyer për ta dramatizuar atë që kisha shkruar kur nisëm përgatitjet. Pjesërisht sepse po përdorja të njëjtën qasje që kisha mësuar nga ‘Once Upon a Time… in Hollywood’,” shtoi ai, duke shpjeguar se “The Movie Critic” do të ishte vendosur në të njëjtën kohë dhe vend./CNN/KultPlus.com

Të ngjajshme