Regjisori kosovar sjellë film për vendin ku ndalohet liria e fjalës (FOTO)

29 Tetor, 2017 - 2:35 pm

“‘Lugina e lumtur’ mund të them që do të jetë një film i suksesshëm. Premiera e tij në Winterthur, shënon rastin për të folur më shumë për mundësitë e pakufizuara dhe pa kufij që ofron kinemaja”, pohoi Maxhuni.

Sarandë Selimi

Fisnik Maxhuni është regjisori me prejardhje nga Kosova, i cili karrierën e tij po e ndërton jashtë kufijve shqipfolës por duke mos lënë anash prejardhjen ku prekë tema të ndjeshme nga Kosova në filmat e tij. Kësisoj ishte filmi i cili pati një rrugëtim goxha të suksesshëm nëpër festivale të ndryshme ndërkombëtare e që ishte bërë pikërisht për Kosovën, në Kosovë e me kastë aktorësh nga Kosova ‘Lost Exile’, shkruan KultPlus.

Pas Kosovës, Fisniku udhëton në Iran. Ai bashkë me producentin Benoît Goncerut, po sjellin filmin e radhës me titullin ‘La Vallée Heureuse’ apo në shqip ‘Lugina e lumtur’, me skenar të Fisnik Maxhunit i cili premierën e tij botërore do ta ketë në Winterthur Kurzfilmtage, në Zvicër më 9 nëntor.

Në lidhje me filmin e ri, Fisnik Maxhuni, shpalosi detaje në një rrëfim ekskluzivisht për KultPlus.

‘Lugina e lumtur’ tregon një përrallë universale në Iranin bashkëkohorë.

“Xhirimet e filmit kanë zgjatë rreth 20 ditë, në vende si Teheran, Siahkal dhe në qytetet kufitare të Detit Kaspik. Unë e bëra këtë film në këtë rajon që ende mbetet një mister për shumë njerëz”, tha për KultPlus regjisori Fisnik Maxhuni.

Fisnik Maxhuni bashkë me produksionin Visceral Film, morën rrugën sfiduese për të bërë këtë film në Iran, një vend që është i njohur për mjedisin e tij të vështirë kur është fjala për filmim, lirinë e fjalës dhe liritë artistike.

“ ‘Lugina e lumtur’ mund të them që do të jetë një film i suksesshëm. Premiera e tij në Winterthur, shënon rastin për të folur më shumë për mundësitë e pakufizuara dhe pa kufij që ofron kinemaja”, pohoi Maxhuni.

‘La Vallee Heureuse’, premierën do ta ketë në Winterthur Kurzfilmtage më 9 nëntor me fillim nga ora 22:00 në Kazino 1. Të pranishëm në premierë do të jenë regjisori, producenti, kompozitori…, të cilët do të jenë në dispozicion jo vetëm gjatë festivalit por gjatë gjithë kohës të flasin më shumë rreth këtij krijimi të ri kinematografik nga një shqiptar për botën./ KultPlus.com

Të ngjajshme