Regjisori nga Kosova, Ismet Sijarina, pjesë e kategorisë ‘Made in Albania’ në TIFF

16 Shtator, 2022 - 2:59 pm

Një nga kategoritë më interesante të Tirana International Film Festival, është edhe “Made in Albania”.

Në këtë edicion të 20-të të festivalit të filmit, vijnë 4 prodhime shqiptare e mes tyre gjejmë edhe dy emra të njohur për publikun si Erion Kame dhe Artur Gorishti, një regjisor nga Kosova, Ismet Sijarina si dhe regjisoren Keti Stamo.

Dy prej prodhimeve në “Made in Albania” janë dokumentarë: “Purgator `90” i prodhuar në Kosovë nga Ismet Sijarina, 75 minuta i gjatë dhe “Bijtë e Kainit”, 69 minuta, nga Keti Stamo.

Aktori i mirënjohur Artur Gorishti vjen në TIFF si regjisor i filmit “Winter Fireflies” (Xixëllonjat e dimrit), prodhim i vitit 2022, 149 minuta i gjatë. Më herët Gorishti ka bërë regjinë e dy filmave të metrazhit të shkurtër: “Kurth” dhe “Breath”.

Ndërsa Erion Kame konkurron me “A life with you” (Një jetë me ty) 76 minuta, film i cili në TIFF do të ketë premierën absolute. Filmi trajton një çift në krizë, të cilëve asgjë s’po u shkon siç duhet.

Tirana International Film Festival zhvillohet nga 24 -30 shtator dhe do të sjellë mbi 247 filma të përzgjedhur prej 3000 aplikimeve.

Agjencia Telegrafike Shqiptare do të jetë për herë të parë “Official Partner” i TIFF. /atsh /KultPlus.com

Të ngjajshme