Regjisorit serb nuk i lejohet hyrja në Kosovë

31 Maj, 2018 - 11:20 pm

Boris Malagurski, një regjisor serbo-kanadez, është kthyer mbrapsht nga autoritetet e Kosovës.

Kësisoj shkruan Blici serb kur tregon se regjisori nuk ka mundur të vijë në Kosovë për të qenë pjesë e premierës së filmit dokumentar ‘Kosovo: Momenat u civilizaciji’.

Premiera e filmit ndodhi në Mitrovicë dhe poashtu edhe në Graçanicë, ndërsa regjisori u ka thënë mediave serbe se ndalesa e tij dhe moslejimi i hyrjes në Kosovë është pjesë e agjendës kosovare që të fshihet historia dhe identiteti serb, shkruan KultPlus.

Gjatë premierës në Mitrovicë u fol se si kosovarët duhet ta kuptojnë se ka një trashëgimi serbe në Kosovë dhe ajo duhet mbrojtur. Në hapje folën Igor Simic – deputet i Listës Serbe dhe Zoran Garic – Drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve.

Malagurski ka organizuar edhe protesta më parë kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Dokumentari në fjalë zgjatë 54 minuta dhe është realizuar në shtator të vitit të kaluar. Për filmin dokumentar patën reaguar edhe Ramush Haradinaj – që e dënoi një dokumentar ku Kosova paraqitet me imazh të keq, dhe më pas erdhi edhe reagimi i Marko Gjuriq – Drejtorit të Zyres për Kosovë dhe Metohi – që mbështeti filmin dhe realizimin e tij. / KultPlus.com

Të ngjajshme