Ron Fehmiu, nipi i Bekim Fehmiut i cili e pret rolin e madh në gjuhën shqipe

31 Dhjetor, 2018 - 9:15 pm

Alberina Haxhijaj

Uran (Ron) Fehmiu, i njohur në botën e aktrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si Ron Fehmiu, në intervistën e dhënë për KultPlus tregon se si është larguar nga Kosova dhe ka ecur drejt tokës së panjohur dhe ëndrrës së paeksploruar. Nipi i Bekim Fehmiut na ka dhënë pak copëza përshkrimi nga jeta e tij në SHBA. Ai ka shpalosur rolet e tij, dëshirat dhe kujtimet që ka për Kosovën të cilën e ka lënë pas. Këshillat të cilat e kanë përcjellë Ronin mund të vlejnë për çdo të ri që ëndërr e ka aktrimin. Për këtë fundvit, një dhuratë tjetër e KultPlusit është edhe kjo intervistë poshtë.

KultPlus: Gjithmonë ka kuriozitet për fillimet. Si lindi dashuria juaj për aktrimin dhe si e kujtoni gjithë këtë rrugëtim?

Ron Fehmiu: Në vitin 1993 kam regjistruar Artet e Mediave, dega regji filmi. Kurse aktrimi për mua filloi shumë vonë, në vitin e dytë të studimeve në University of South Carolina. Atë vit e mora klasën e parë të aktrimit. Mbas kësaj vazhdova të merrja klasët e aktrimit dhe në vitin 1998 u shpërngula nga Karolina Jugore në New York. Aty vazhdova të marr leksione për aktrim në Stella Adler Conservatory of Acting. Në vitin 2001 u pranova në Actors Studio Drama School, ku e përfundova magjistraturën apo “MFA”.

KultPlus: Keni lindur në Kosovë, çfarë kujtoni nga Kosova dhe sa ishte i vështirë fillimi juaj në Amerikë?

Ron Fehmiu: Linda në Prishtinë dhe kam mjaft kujtime të mira nga fëmijëria në Kosovë, deri në vitin 1988 kur edhe problemet politike dhe jeta në Kosovë u vështirësua. Kjo ishte edhe arsyeja që e lëshova Kosovën në vitin 1990 dhe shkova në Londër. Aty qëndrova një vit dhe pastaj erdha në SHBA, në Columbia të Karolinës Jugore. Këtu i përfundova edhe 2 vitet e fundit të shkollës së mesme.

Edhe pse fillimi ishte pak i vështirë në Amerikë, mbasi kisha ardhur vetëm dhe gjithë familja ishte në Kosovë, unë u adaptova shumë shpejtë.

KultPlus: Kur jemi te Kosova, ju jeni po ashtu nipi i Bekim Fehmiut, një ndër aktorët më të mëdhenj shqiptarë që pati famë kudo nëpër botë. Si e kujtoni figurën e Bekimit?

Ron Fehmiu: Bekimin apo “Daja Beko” siç e thirrsha unë, gjithmonë e kujtoj fillimisht si dajë. Më kujtohet gjithmonë koha që e kalonim me të si fëmijë, kur vinte në vizitë në Prishtinë. Ishte një dajë shumë i dashur me të gjithë nipërit dhe mbesat. Pastaj, Bekimin e kujtoj si person me pasion të madh për artin, sidomos aktrimin. Nuk kujtoj vetëm talentin e tij por edhe punën jashtëzakonisht të madhe që ka bërë e që i ka ndihmuar për të arritur sukseset e tij.

KultPlus: Sa ka qenë e vështirë të krijoni një trashëgimi tuajën duke e pasur emrin e Bekim Fehmiut para jush?

Ron Fehmiu: Mendoj se pesha e mbiemrit Fehmiu do ishte shumë me tepër një çështje pozitive apo negative nëse do kisha provuar që të realizoj një karrierë si artist në Kosovë apo në Evropë. Natyrisht do të ishte një standard i pamundur që të arrihej. Mirëpo këtu në SHB nuk ishte një faktor.

Ron Fehmiu si diplomati kosovar Abdyl Duriqi, në Madam Secretary (CBS) 2018

KultPlus: Ekziston ndonjë këshillë e cila ju ka shoqëruar gjatë gjithë këtyre viteve dhe nuk ju ka lënë që të dorëzoheni?

Ron Fehmiu: Këshillën të cilën e mora nga profesoresha ime në Actors Studio, Barbara Poitier- kushërira e parë e aktorit Sydney Poitier- të cilën ajo e kishte marrë nga Elia Kazan. “Çdokush që është aktor apo artist ka diçka të rëndësishme për të thënë”.

KultPlus: Keni arritur që të fitoni disa role edhe në kinematografinë amerikane, cilat janë sfidat me të cilat jeni përballuar apo përballeni?

Ron Fehmiu: Është një biznes i vështirë të depërtosh, por është shumë e rëndësishme të dini se kush jeni si aktor dhe të mos futeni në fantazitë artistike. Puna është punë dhe ju duhet të jeni të gatshëm të bëni atë edhepse nganjëherë nuk e përfaqëson fushën e plotë të aftësive artistike.

KultPlus: Sa është e vështirë sot që të jeni një aktor?

Ron Fehmiu: Sot është shumë më e vështirë sesa për aktorët e gjeneratës së dajës. Sikur tha aktori i madh F. Murray Abraham në një seminar që unë e takova: Biznesi ka ndryshuar aq shumë që nga vitet e 70’ dhe 80’. Kur ai ishte një aktor i ri në New York, aktorët kishin mundësi që të punonin në reklama dhe seriale pa problem kur kishin nevojë për punë. Por sot, edhe në reklama edhe në seriale luajnë aktorë të mëdhenj të filmit. Në atë kohë nuk kishte mundësi që dikush si Al Pacino të bënte reklama televizive për Jeep Cherokee apo të ishte pjesë e serialeve televizive sikurse ndodhë sot.

KultPlus: Keni interpretuar përkrahë yjeve të njohura, si është të punosh me ta?

Ron Fehmiu: Çdo individ është unik, secili personalitet është i ndryshëm. Kjo ndonjëherë do të të ndihmojë edhe në vendin e punës apo në set të xhirimeve. Kam punuar me aktorë që insistojnë të jenë ylli i shfaqjes dhe kanë dëshirë që të frikësojnë aktorët e ri apo më të vegjël se ata. Mirëpo po ashtu kam punuar edhe me të tjerë që bëjnë çmos që i gjithë ekipi gjatë xhirimit të ndihet i barabartë dhe nuk kanë nevojë që të luajnë me egon e tyre.

Ron Fehmiu si mafioz rus, në serialin “Bored To Death” (HBO) 2009

KultPlus: Cili do të ishte mesazhi juaj për aktorët në Kosovë apo për studentët në Universitetin e Prishtinës të cilët ëndërrojnë një karrierë në aktrim, jashtë Kosovës?

Ron Fehmiu: Punoni me gjërat bazë si dhe ushtroni teknika gjatë gjithë kohës edhe kur nuk jeni duke përgatitur ndonjë rol. Aktori duhet të jetë çdo herë në formë njësoj sikur një pianist, kitarist apo këngëtar i cili gjithmonë ushtron. Është mirë të keni ëndrra dhe ambicie të mëdha por gjithmonë rrini me këmbë në tokë për shkak të realitetit të ashpër të ShowBizit. Siç edhe thotë një thënie e vjetër në Hollywood kjo është “Show-Biznes dhe jo Show-Art”

KultPlus: Çfarë është duke punuar për momentin Uran Fehmiu? Po në kohën e lirë që u mbetet, çfarë ju pëlqen që të bëni?

Ron Fehmiu: Tash mbas sezonës së festave fillojnë sezonat e reja për vitin 2019 dhe shpresoj që të kem audicione edhe për këtë vit. Në anën tjetër kohën e lirë e kaloj në fitnes, luaj tenis dhe vozis biçikletën nëpër gjithë qytetin e New York-ut. Po ashtu një pjesë të kohës e kaloj me qenin tim “Bruno” i cili është një “Wheaten Terrier Irlandez”. Ai kur ishte i ri ka qenë model nëpër reklama të ndryshme por u përpoq që të kalonte në aktrim. Mirëpo, ky biznes është shumë i vështirë edhe për një qen fotogjenik siç është ai.

KultPlus: A mendoni që të riktheheni në Kosovë, ndoshta me ndonjë rol ?

Ron Fehmiu
: Po, do të kisha shumë dëshirë që të aktroj në gjuhën shqipe. Është vetëm çështje kohe dhe nëse projekti i duhur do të paraqitet.

KultPlus: Si do ta përshkruanit vitin që po e lëmë pas me disa fjalë?

Ron Fehmiu: Ishte një vit shumë aktiv për mua. Kam punuar në Marvel “Daredevil” serialin në Netflix dhe në Serialin “Madam Secretary “ në CBS. Për Vitin e Ri uroj për paqe dhe stabilitet, tërheqje të forcave të errëta të cilat janë shfaqur këto dy vitet e fundit në SHBA e Evropë. / KultPlus.com

@credits Fadil Berisha, New York 2018

Të ngjajshme