2 Gusht, 2025 - 11:35 am
Pas më shumë se dy dekadash histori, personazhe dhe ndjesi të paharrueshme, ekipi po i jep fund rrugëtimit të tij me përfundimin e sezonit të tretë dhe të fundit të serialit spinoff “And Just Like That…”. Lajmin e dhanë të premten aktorja kryesore Sarah Jessica Parker dhe krijuesi, skenaristi e regjisori Michael Patrick King.
“And just like that… tregimi i vazhdueshëm i universit ‘Sex And The City’ po përfundon,” shkroi King në një deklaratë të postuar në llogarinë zyrtare të serialit në Instagram. “Teksa po shkruaja episodin e fundit të sezonit të tretë të ‘And Just Like That…’, u bë e qartë për mua se ky mund të ishte një vend i mrekullueshëm për të ndalur.”
Vendimi për të mbyllur serinë, sipas King, u mor në bashkëpunim me Sarah Jessica Parker, e cila është edhe producente ekzekutive e serialit, si dhe me drejtuesit e HBO, Casey Bloys dhe Sarah Aubrey.
Parker ndau një mesazh emocional dhe poetik në rrjetet sociale për t’i dhënë lamtumirën serialit dhe personazhit të saj ikonik, Carrie Bradshaw, të cilën e portretizoi për herë të parë në vitin 1998.
“Carrie Bradshaw ka dominuar ritmin tim profesional për 27 vite. Mendoj se e kam dashur më shumë se të gjitha. E di që edhe të tjerët e kanë dashur ashtu si unë. Janë frustruar, e kanë kritikuar, por edhe e kanë mbështetur,” shkroi ajo ndër të tjera. “MPK dhe unë, siç kemi bërë edhe më parë, e pranuam së bashku: ky kapitull është i përmbyllur. “AJLT” ishte vetëm gëzim, aventurë, puna më e bukur dhe më sfiduese bashkë me një talent të jashtëzakonshëm prej 380 personash, përfshirë gjithë aktorët e shkëlqyer që u bashkuan me ne.”
“And Just Like That…” ishte kapitulli më i fundit dhe shpesh diskutues, që përfshin serialin origjinal fitues të çmimit Emmy, përfunduar në vitin 2004, dhe dy filma artistikë që pasuan më vonë.
Postimi i Parker përfshinte një përzgjedhje fotosh nga e gjithë rruga e këtij udhëtimi televiziv, nga karakteret kryesore si Miranda (Cynthia Nixon) dhe Charlotte (Kristin Davis), deri te Samantha (Kim Cattrall), që u shfaq edhe me një cameo në sezonin e dytë të “AJLT”. Pamjet përfshinin gjithashtu momentet e Carries me Stanford (Willie Garson, tashmë i ndjerë), Mr. Big (Chris Noth) dhe Aidan (John Corbett), si dhe personazhet e reja të “AJLT”, Seema (Sarita Choudhury) dhe LTW (Ari Nicole Parker), të cilat Parker i quajti “dy lidhjet më hyjnore të reja”.
Në postimin e tij, King shtoi se ata vendosën të mos e njoftojnë menjëherë lajmin për t’i lënë hapësirë argëtimit të sezonit. “Nuk donim që fjala ‘final’ të mbulonte kënaqësinë e shikimit të sezonit,” shkroi ai.
Seriali do të përfundojë gjatë dy të enjteve të ardhshme me një finale të ndarë në dy pjesë, duke shënuar përmbylljen e një epoke që ndikoi thellë në televizion, kulturë dhe breza të tërë shikuesish./CNN/KultPlus.com